Evidentohen 11 përdorues të drogës nga mosha 14 deri 18-vjeçare në tremujorin e parë të 2023-tës, gjatë 2022 u evidentua edhe në shkolla

Rezultatet e planit operativ “Siguria dhe stop drogave në shkolla” të Policisë së Kosovës, tregojnë se nga 183 raste të evidentuara të drogës në shkolla përgjatë vitit 2022, janë arrestuar 225 persona, ndërsa janë ndaluar 30 persona. Në mesin e tyre, 22 persona ishin nxënës. Ndërkaq, 11 persona nga mosha 14-18 vjeç janë evidentuar si përdorues të drogave gjatë tre muajve të parë të vitit 2023

Droga në shkollat e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë një problem serioz, për të cilin, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës thotë se vazhdon të jetë një shqetësim i madh i prindërve. Por, deri në sa arriti numri i rasteve të evidentimit të prezencës së drogës në shkollat në vend? Por, ai i përdouresve të mitur?

Në 11 ka arritur numri i të miturve deri në 18 vjeç që janë deklaruar si përdorues të substancave narkotike në periudhën janar-mars të këtij viti.

“Gjatë vitit 2023 (Janar – Mars), mosha e personave nga 14 – 18 vjeç të regjistruar janë 11 persona në total, përdorues/të paktën një herë të deklaruar si përdorues të substancave narkotike, ku nga ta 10 meshkuj dhe 1 femër. Mosha më e re e përdoruesve ka qenë 15 vjeç – 1 person”, kanë thënë nga PK.

Ndërkaq, e njëjta ka treguar se gjatë vitit 2022, përdorues të mitur të drogës numërohen 53 meshkuj dhe tri femra, deri në 18 vjeç.

“Të dhënat e rasteve të regjistruara, të ndara në bazë të moshës së të miturve 14-18 vjeç, 2022. Gjatë vitit 2022 kanë qenë 56 persona të mitur nga 14 – 18 vjeç si përdorues të paktën një herë të deklaruar si përdorues të substancave narkotike, nga ta 53 meshkuj dhe 3 femra, ndërsa lloji më i shpeshtë i substancës se përdorur ka qenë marihuana”, kanë thënë nga PK, gjersa kanë theksuar se mosha më e re e përdoruesve ka qenë 14 vjeç.

Rezultatet e planit operativ të Policisë së Kosovës, “Siguria dhe stop drogave në shkolla” 2022

Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik ka bërë të ditur për Dukagjinin se nga 183 raste në total, të realizuara në kuadër të planit “Siguria dhe stop drogave në shkolla”, janë shënuar 33 raste në trafikim, 148 raste posedimi dhe 2 raste kultivimi, përgjatë vitit 2022.

Lidhur me personat e dyshuar nga rastet e shpërndarjes së drogës në shkollat e Republikës së Kosovës, të tillë numërohen rreth 225 të dyshuar, të arrestuar që të gjithë. Nga 225 në total, 22 prej tyre ishin nxënës.

“Nga 183 raste të shkollave, janë arrestuar 225 persona, ndërsa janë ndaluar 30 persona. Nga numri i personave: 203 janë jo nxënës, ndërsa 22 persona janë nxënës”, kanë thënë nga drejtoria e lartcekur.

Ndonëse pjesa më e madhe e të arrestuarve janë shqiptarë, në mesin e tyre hynin një serb, tre egjiptianë të Kosovës, një ashkali dhe një boshnjak.

Në Prishtinë, me përhapje më të madhe nga substancat narkotike ishte marihuana, e ndjekur nga heroina dhe kokaina. Kryeqyteti mbetet qyteti me më shumë raste të drogës në shkolla.

Tutje, Policia e Kosovës ka dhënë detaje edhe për planet operative të evidentimit të prezencës së substancave narkotike afër shkollave.

“Rastet 2022 të ndara në bazë të planit operativ 2022/Raste brenda objekteve shkollore kanë qenë 3 raste gjithsej. Raste në oborr të shkollave kanë qenë 7 raste gjithsej. Raste jashtë oborreve te shkollave kane qenë 4 raste gjithsej. Raste në perimetër të shkollave kanë qenë 17 raste gjithsej. Raste në kuadër të planit kanë qenë 152 raste gjithsej”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sa janë trajtuar?

Nga Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë nga droga, “Labyrinth”, kanë thënë se përgjatë vitit 2022, janë trajtuar 30 persona nën moshën moshën 18-vjeç.

Kështu ka bërë të ditur Muharrem Ademi nga qendra e lartcekur. I njëjti ka thënë se mosha mesatare e të miturve që fillojnë përdorimin e substancave narkotike është 16 vjeç.

“Në databazën tonë, ne kemi 2856 persona që kanë kërkuar ndihmë në qendrën tonë. Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është 16.1 vjeç”, ka deklaruar Ademi.

I njëjti ka treguar se aktualisht në qendrën “Labyrinth” janë duke u trajtuar 3 të mitur, gjersa në vitin 2022, ky numër arriti deri në 30.

Sipas Ligjit Penal për të miturit që kryejnë vepra penale, të njëjtit mund të vendosen në institucione edukative apo të ngjashme.

“Neni 7/Përcaktimi i masave mbrojtëse/ Në çdo kohë gjyqtari për të mitur apo trupi gjykues për të mitur cakton masa adekuate për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e të miturit, duke përfshirë edhe vendosjen e të miturit në strehimore ose në institucion edukativ apo të ngjashëm, vendosjen e të miturit nën mbikëqyrjen e organit të kujdestarisë ose transferimin e të miturit në familje tjetër, nëse është e nevojshme që i mituri të ndahet nga mjedisi në të cilin ai ka jetuar ose për t’i ofruar ndihmë, mbrojtje apo strehim. Gjyqtari për të mitur apo trupi gjykues për të mitur e njofton organin e kujdestarisë për cilëndo masë të caktuar”,  thuhet në nen.

Cilat janë mundësitë e trajtimit dhe rehabilitimit për të miturit që kanë përdorur drogë dhe si Shërbimi Korrektues mund t’i ndihmojë ata?

Dukagjini ka kontaktuar edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Këta të fundit thanë se në ambientet e tyre, aktualisht, po trajtohet një i mitur.

“Të miturit të akuzuar, të dënuar dhe me aktvendim me masë institucionale edukative korrektuese për vepra penale blerje, posedim, shitje, shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, aktualisht në mbajtje është vetëm një i mitur me masë edukative”, kanë thënë nga SHKK.

Të pyetur se çfarë mundësish trajtimi ofron SHKK, këta të fundit kanë treguar detajet e procedurave dhe programeve që ofrojnë.

“Duke referuar Kodit të Drejtësisë për të Miturit dhe akteve nënligjore, të gjithë të miturit kalojnë në procedurat e pranimit (tretmanit pranimit-themelor), përveç akomodimit dhe klasifikimit, pa hyrë në detaje të procedurave: bëhet kontrolli mjekësor sipas standardeve  nga njësisë së ambulantes DSHB/MSH. Nga zyrtari social (menaxheri i rastit) bëhet vlerësimi i rrezikut dhe nevojave për recidivizëm, dhe duke u bazuar në VRRN, përpilohet edhe Plani Individual Trajtimi (bashkëpunim me të miturin, familjarët, zyrtar të shërbimi sprovës), kuptohet me përfundim të panelit multidiciplinar. Pasi PIT në vete përmban nevojat, qëllimin dhe intervenimin, kjo duke u bazuar në faktor të rrezikut dhe faktorët mbrojtës, i mituri caktohet në programet individuale, grupore apo edhe në ligjërata lidhur me pasojat nga substancat narkotike. I mituri mund të jetë pjesë e programeve: ‘Programi për trajtimin e personave në varësi’. ‘Biseda për Ndryshim’, Tryezave, ligjëratave për pasojat nga narkotikët. Programet e cekura kanë karakter këshillues psiko-social”, kanë thënë nga SHKK.

Nevoja për krijimin e një zone mbrojtëse

Në një përgjigje në shkurt të këtij viti, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, ishte shprehur i zhgënjyer se si jeta e fëmijëve nuk po trajtohej me prioritet nga institucionet. Ai e sheh të nevojshme krijimin e një zone mbrojtjeje në shkolla.

“Është për keqardhje që as Ministria e Arsimit, as Qeveria e Kosovës dhe as Kuvendi, nuk kanë propozuar ndryshime ligjore në Kodin Penal që do ta vendosnin një perimetër të sigurisë afër shkollave, ku do të kishte penalizime të rënda ndaj të gjithë personave që manipulojnë ose rekrutojnë fëmijët për një aktivitet shumë të rrezikshëm, ose kryejnë vepra të tjera penale. Një zonë mbrojtjeje për shkollat në gjithë Kosovën është shumë e nevojshme dhe mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët dhe ndëshkuar kryerësit e veprave”, ka deklaruar Demi.

I njëjti kishte theksuar se duhet vlerësuar fakti që Policia e Kosovës ishte angazhuar në këtë mision, por sipas tij, të njëjtit nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta trajtuar në vazhdimësi.

Një nga institucionet e përmendura nga Demi qe edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), dikaster ky i udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci.

Në një përgjigje për Dukagjinin nga MASHTI, kanë thënë se tashmë ky dikaster ka nisur një reformë hartimi të kurrikulës së re, në të cilën, substancat narkotike do të shpjegohen përmes lëndëve.

“MASHTI ka nisur reformën e hartimit dhe zbatimit të kurrikulës se re, ku në kuadër të parandalimit dhe abuzimit me droga, ka marrë një hap shumë me interes për të rinjtë dhe shoqërinë në përgjithësi, pasi tani për qëndrimin refuzues ndaj drogave mësohet në kurrikulat e reja nga një perspektivë tjetër. Drogat dhe substancat tjera të dëmshme trajtohen përmes disa lëndëve siç janë edukata qytetare, biologjia, kimia, edukata fizike sportet dhe shëndeti, te cilat lëndë i trajtojnë prej perspektivës së tyre. Te lënda e Edukatës fizike, sportet dhe shëndeti është shtuar edhe komponenta e shëndetit, duke e trajtuar çështjen e drogave dhe substancave tjera të dëmshme që nga arsimi fillor deri në klasën e 12-të”, ka thënë Edona Maliqaj nga MASHTI.

Maliqaj ka bërë të ditur se MASHTI është në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i cili i realizon aktivitete përmes komisioneve rajonale të edukimit dhe promovimit shëndetësor, e njëherit bashkëpunon me Policinë e Kosovës e “Labyrinth”.

Ndër të tjera, ajo bën të ditur se në kuadër të takimeve, përfshihen edhe ato me këshillet e prindërve në nivel shkolle.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika