Katër serbë, dy nga veriu dhe dy të tjerë nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Këta janë gjashtë anëtarët ekipit menaxhues, të cilët sipas kryeministrit Albin Kurti janë emëruar në vitin 2020 nga qeveria e atëhershme dhe të cilët janë përgjegjës për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Por, Kurti ka thënë në Debat Plus se nuk i di emrat e tyre, derisa ka shtuar se është i paqartë edhe statusi i këtij ekipi.
“Unë nuk e di saktësisht përbërjen e asaj, por edhe njëherë po e theksoj që është evidente që është mirë të dihet statusi i atij ekipi menaxhues dhe këtë ne si Qeveri do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”, ka thënë Kurti.
Në kohën kur është krijuar ky ekip, anëtar i tij si ministër i MAPL-së ka qenë Goran Rakiq.
Kurse aktualisht këtë pozitë e mban Elbert Krasniqi. Për detaje shtesë rreth ekipit, Dukagjini ka kontaktuar ministrin Krasniqi, por ai ka sugjeruar që pyetjet të drejtohen me shkrim.
Mirëpo, Ministria që ai udhëheq nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës. E, njëjtë ka vepruar edhe Bashkimi Evropian.
Përbërjen e ekipit nga katër anëtarë serbë, analisti politik Artan Muhaxhiri e quan gjë jo të mirë, pasi thotë se me automatizën ekipi është i një anshëm.
Por kyçe, sipas tij, janë të drejtat që do t’i jepen secilit anëtarë të tij.
“Çështja kryesore me ekipin i cili do ta hartojë statutin e Asociacionit do të jetë qartësimi edhe i fushëveprimtarisë por edhe i një elementi shumë të rëndësishëm a do të nevojitet pajtueshmëria e të gjithë anëtarëve për të arritur deri në versionin final”, ka thënë Muhaxhiri.
Përgjegjësinë këtij ekipi për hartimin e statutit të Asociacionit ia jep marrëveshja e vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.