Në vitin 1991 presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte takuar në Tiranë me presidentin e Shqipërisë në atë kohë Ramiz Alinë.
Në një video të pa publikuar më parë që u transmetua gjatë “Debat Plus”, dëgjohet zëri i Ramiz Alisë, duke thënë se “Kosova dhe Shqipëria janë një komb dhe një popull”.
Ai po ashtu thoshte, se çështja e Kosovës dhe e Shqipërisë janë e njëjtë gjë.
“Sepse ne konsiderojmë që çështja e Kosovës, dhe çështja e Shqipërisë janë një… Po i dhimti koka Shqipërisë, do i dhëmb koka edhe Kosovës. Po i dhimti koka Kosovës, i dhëmb koka edhe Shqipërisë. Sepse jemi një popull një komb dhe po, ka të mira kjo pjesë e kombit shqiptarë këtë anë të kufirit, ka të mira edhe në pjesën tjetër, ose i vjen mirë i ngjallet gëzim kënaqësi dhe anasjelltas”, kishte thënë presidenti Ramiz Alija, gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ky takim, i të dy liderëve, besohet se i pati hapur rrugët për trajnimin e grupeve të para të UÇK-së, në Shqipëri.
Në grupin e parë besohet të ketë marrë pjesë dëshmori i kombit Zahir Pajaziti, kurse në të dytin komandanti Adem Jashari.