Gjykata kryesore e Kombeve të Bashkuara ka refuzuar kërkesën e Iranit për të zhbllokuar afër 2 miliardë asete të bankës qendrore iraniane që janë ngrirë nga autoritetet amerikane.
SHBA-ja ka ngrirë këto asete me qëllim që të paguhet kompensimi i viktimave të bombardimet e vitit 1983 në Liban dhe në sulmet e tjera të lidhura me Iranin.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka thënë se nuk ka juridiksion për të marrë vendim lidhur me kërkesën e Iranit lidhur me bankën qendrore.
Zëvendëspresidenti i kësaj gjykate, Kirill Gevorgian, ka thënë se shumica e votave në gjykatë “vendosën që të respektonin juridiksionin e ngritur nga SHBA-ja sa i përket pretendimeve ndaj Republikës Islamike të Iranit” lidhur me bankën qendrore.
Në vendimin e gjykatës u tha se disa vendime të SHBA-së për ngrirjen e aseteve të Iranit dhe iranianëve në SHBA kishin shkelur traktatin e vitit 1955 mes dy shteteve, dhe tha se shtetet duhet të negociojnë për kompensim.
Por, shumica e këtij rasti gjyqësor u përqendrua në Bankën qendrore Markazi, dhe asetet e ngrira në vlerë prej 1.75 miliard dollar obligacione, plus interesin e mbledhur, që mbahen në Citibank në Nju Jork. Gjykata ka thënë se nuk ka juridiksion mbi traktatin e vitit 1955.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vadant Patel, tha se përderisa SHBA-ja është e pakënaqur me disa aspekte të vendimit, në përgjithësi është e kënaqur me vendimin.
“Në përgjithësi, ne mendojmë se vendimi i sotëm është një goditje e madhe për rastin e ngritur nga irani”, ka thënë Patel, raporton AP.
Teherani ka thënë se vendimi sugjeroi se Irani ka të drejtë në kërkesat e saj dhe do të përdorë “të gjitha mjetet diplomatike e ligjore” për të shtyrë përpara kërkesat e saj.
Gjatë paraqitjes së rastit vitin e kaluar, Irani argumentoi se ngrirja e aseteve ishte përpjekje për të destabilizuar Qeverinë në Teheran dhe përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Irani ngriti këtë rast pasi më 2016, Gjykata Supreme amerikane vendosi se paratë që i përkisnin bankës qendrore iraniane mund të përdoreshin për të kompensuar familjarët e 241 trupave amerikane që vdiqën në bombardimet e vitit 1983, që besohet se janë kryer nga Teherani.
Pas bombardimeve në bazën ushtarake amerikane në Liban, një shpërthim i dytë në afërsi vrau edhe 58 ushtarë francezë. Irani ka mohuar përfshirjen në këto ngjarje, por një gjykatë amerikane më 2003 ka thënë se Teherani është përgjegjës për sulmet.
Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë obliguese.