Më shumë se 20 deputetë austriakë të ekstremit të djathtë dolën nga parlamenti gjatë një fjalimi të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Politikanët nga Partia e Lirisë (FPO) argumentuan se fjalimi i Zelenskyy-t shkelte neutralitetin e Austrisë.
Ata paralajmëruan përpara fjalimit se do të mbanin një formë proteste kundër adresimit të tij.
Austria ka thënë më parë se nuk mund ta ndihmojë ushtarakisht mbrojtjen e Ukrainës, por e mbështet politikisht Kievin.
Në një fjalim video, Zelensky falënderoi Austrinë për ndihmën e saj humanitare dhe ndihmën në pastrimin e minave tokësore. Ai po fliste në ditën e 400-të të pushtimit rus.
Ai gjithashtu ftoi deputetët që të udhëtojnë vetë në Ukrainë dhe të shohin shkatërrimin e shkaktuar.
Presidenti i dhomës së parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, premtoi më shumë ndihmë financiare dhe humanitare për Ukrainën, dhe tha se vendi meriton solidaritetin e Austrisë.
Por, derisa Zelensky foli, një grup politikanësh dolën dhe lanë pankarta në tavolinën e tyre me logon e partisë që shkruante “hapësirë për neutralitetin” dhe “hapësirë për paqen”.
Ka 30 politikanë të FPO në dhomën e ulët të Austrisë, dhe ata ishin e vetmja parti që kundërshtoi fjalimin e Zelensky, transmeton BBC.
Nga pesë partitë në parlamentin e Austrisë, ato mbajnë numrin e tretë më të madh të vendeve në dhomën e ulët. Ata kanë qenë më parë pjesë e qeverisë së Austrisë.
“Neutraliteti i përhershëm” i Austrisë ka qenë pjesë e kushtetutës së saj që nga viti 1955.
Ligji thotë se “Austria kurrë në të ardhmen nuk do të anëtarësohet në asnjë aleancë ushtarake dhe as nuk do të lejojë krijimin e bazave ushtarake të shteteve të huaja në territorin e saj”.