Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas mesnatës të së enjtes, sërish është raportuar për djegie të veturave në veri, të cilat ishin të regjistruara me targa RKS.
Sipas njoftimit të Policisë, tri veturat pronarët e të cilave kanë qenë të nacionalitetit serb, janë djegur në Zveçan, ndërsa dy të tjerat në Mitrovicë të Veriut.
“Më 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën ‘Kral Milutin’- Zveçan, tjetra në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën ‘Vlade Çetkoviq’- Mitrovicë Veri. Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, thuhet se sikurse edhe në rastin e parë më 30 mars edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke angazhuar njësitet kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore.
Ndryshe, të mërkurën e 30 marsit, dy vetura të serbëve të Kosovës, të cilat ishin me targa RKS, janë djegur në Zubin Potok, të cilat ishin të regjistruara një javë më parë.
“Më 30.03.2023, rreth orës 08:15, në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovarë të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre, të regjistruara rreth një javë më përpara”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Për këtë kishte raportuar edhe shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai kishte thënë se strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë frikësimin e serbëve lokalë.
Vela: Dy vetura të serbëve të Kosovës u dogjën të mërkurën, shkak targat RKS