Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas mesnatës të së enjtes, sërish është raportuar për djegie të veturave në veri, të cilat ishin të regjistruara me targa RKS.
Për këtë, Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë me fushatën e orkestruar të frikësimit ndaj serbëve vendas në veri të Kosovës.
Sipas tij, Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për ta prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit.
“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës! Mbrëmë janë djegur edhe 3 makina të tjera vetëm se kishin targa RKS. Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit”, ka shkruar ai në rrjetin social, Twitter.
Kujtojmë se, edhe të mërkurën mbrëma, policia ka raportuar se dy vetura janë djegur me targa RKS në Zubin Potok.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në komunat veriore ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor 2022.
Por, ato u shtynë nga presidentja Vjosa Osmani, pas shqetësimeve të ndërkombëtarëve për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë gjatë fundvitit të kaluar.