Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Masakrën e Pastasellës në komunën e Rahovecit, ka thënë se 106 persona të këtij fshati u vranë vetëm për shkakun se ishin shqiptarë.
“Ende ka persona të zhdukur nga kjo masakër, që familjarët ende nuk dinë asgjë për ta. Kishin planifikuar si teknikë dëbimi nëpërmjet vrasjeve masive të civilëve të pafajshëm, si fëmijë të moshës 13 vjeçare e pastaj të rritur e të moshuar, fillimisht filluan me fëmijë që prindërit t’i shohin fëmijët e tyre që po vriteshin në sy të tyre”, ka thënë ai, në ceremoninë përkujtimore në nder të 24-vjetorit të kësaj masakre.
Në këtë ceremoni kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka theksuar se shqiptarët ndodheshin në dhunë të egër dhe të paarmatosur.
“Ushtria Çlirimtare erdhi si shpëtim për ne, vorbulla e luftës përfshiu qindra njerëz, u përballen me fatin e tyre tragjik, por duke lënë plagë të mëdha. Ende me kujtohen pamjet e rënda, gjymtyrët e tyre, organet e nxjerra nga trupat e më të dashurve tanë të gjuajtura në lumë”, ka deklaruar ai.
Latifi ka përmendur edhe bashkëluftëtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë, dhe ftoi të gjithë qytetarët të dalin në protestë më 2 prill.
Përfaqësuesi i fshatit Pastasellë, Afrim Krasniqi, ka theksuar se mijëra të ikur nga fshatrat e tjera përreth, gjetën strehim në fshatin e tyre, edhe pse vetë ata si fshat ishin në gjendje të mjerueshme dhe me 106 persona të vrarë e të masakruar.
E premtja e 31 marsit shënon 24-vjetorin e Masakrës në Pastasellë të Komunës së Rahovecit dhe në Burim të Malishevës.
Në masakrën në Pastasellë të Rahovecit janë vrarë dhe masakruar 106 persona, nga ky fshat dhe fshatrat e tjera përreth.
Sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 24 vjetësh figurojnë të pagjetur.
Të vrarët më pas u dogjën, ndërsa të mbijetuar nga kjo masakër figuruan 13 persona.
Deri tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.
Krahas përvjetorit të kësaj masakre, mbushen edhe 24 vjet nga masakra në Burim të Malishevës.
Në këtë të fundit u masakruan 42 civilë shqiptarë.
As për këtë masakër, asnjë serb nuk u mbajt përgjegjës.
Masakra në Pastasellë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës janë ndër nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.