Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave në nëntor të vitit të kaluar, nuk ka afate kohore apo afat skadimi, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Në një përgjigje me shkrim për media, Stano ka përsëritur se i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Miroslav Lajçak, i ka ftuar kryenegociatorët për një takim në Bruksel më 4 prill.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, në takimin e 4 prillit do të diskutohet edhe për çështjen e targave.
Ai ka thënë se në takim do të diskutohen të gjitha detajet e lidhura me zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, për të cilën, palët kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.
“Ndërkohë, BE-ja pret që të dyja palët të vazhdojnë të kontribuojnë në atmosferën për normalizim, pajtim dhe zbatim të shpejtë të obligimeve. Po ashtu, palët janë zotuar që të përmbahen nga veprimet që do të shkonin në drejtim të kundërt”, ka thënë zëdhënësi i BE-së më 31 mars.
Më 23 nëntor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të tejkaluar krizën rreth targave të makinave.
Deri atëherë, Kosova pati insistuar në riregjistrimin e të gjitha makinave me targave serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Mirëpo me marrëveshjen e nëntorit, Kosova është zotuar për heqje dorë nga masat ndëshkuese lidhur me targat, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa ilegale.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.
Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia/REL.