Policia e Kosovës ka bërë të ditur së ka arrestuar një të dyshuar, i cili kërkohej për përfshirje në disa vepra penale.
Në njoftimin e policisë, thuhet se personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale. Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intensive të kryera nga njësitet relevante policore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, i njëjti, është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.
“Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare””.
Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.