Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), Alex Whiting, në fjalën e tij ka folur për akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së. Fillimisht, para se të fliste ai, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për secilën pikë të aktakuzës që rëndon mbi ta.
Sipas ZPS-së, provat tregojnë që ish-krerët e UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Shumica e viktimave, sipas prokurorit, ishin shqiptarë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë, të cilët përfshinin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës(LDK).
“Provat do të tregojnë se katër të akuzuarit mbështetën dhe zbatuan një politikë që vinin në shënjestër ata persona që konsideroheshin si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionist, shpesh mbështetur në asgjë, pos lidhjeve me institucionet serbe. Si dhe personat e perceptuar si jombështetës të qëllimeve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Ata që perceptoheshin si kundërshtarë të tillë, përfshinin personat e lidhur me LDK, si dhe persona me përkatësi etnike serbe apo rome”, tha ai.
“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit synonte burgosjen, torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve. Aktakuza përfshin dhe ne tentojmë të vërtetojmë me qindra burgosje në mbarë Kosovën, zakonisht në kushte të tmerrshme keqtrajtimi dhe në mbi 100 vrasje. Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, me zellin e tyre për të shënjestruar dhe eliminuan ata që konsideroheshin kundërshtarë, të akuzuarit mbështetën dhe zbatuan një politikë, viktimë e së cilës, viktimë bien njerëzit e tyre vetë”, vijoi ai.
Whiting po vazhdon të paraqesë rastin e Prokurorisë. Ai tha se motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.
Sipas ZPS-së, ish-krerët e UÇK-së kishin dhënë urdhra për t’i eliminuar kundërshtarët politikë.
“Katër të akuzuarit u përfshin në artikulimin dhe zbatimin e kësaj politike, përfshi këtu duke caktuar dhe mbikëqyrjen e komandantëve dhe strukturave që u vunë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu në jetë, që prej fillimi e në fund të luftës, pati një praktikë shënjestrimi të kundërshtarëve, që vinte nga lart nga katër të akuzuarit. Ajo që do të tregojnë provat ndërkohë që u ndoq një fshehtësi për funksionimin e UÇK-së, që vazhdon dhe sot, qëllimi i përbashkët kriminal nuk ishte aspak i fshehtë”, tha ai.
Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta e jo me gjithë UÇK-në.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.