Prokurori i specializuar, Alex Whiting, në seancën gjyqësore që po mbahet për ish-krerët e UÇK-së, tha se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkuar disa herë në Hagë, sipas tyre, fshehurazi, për të dhënë intervistë për ZPS-në.
Whiting tha se Thaçi kishte deklaruar se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së nuk kishte funksione deri në nëntor të vitit 1998.
Po ashtu, sipas prokurorit, Thaçi e ka mohuar se ka pasur informata për ndalimin e viktimave.
“Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’u dhënë ZPS-së intervistë të videoincizuar. Gjatë këtyre intervistave, ai mohoi shumëçka me rolin e tij në luftë dhe rolin e UÇK-së. Ai pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm s’kishte asnjë funksion deri në nëntor të vitit 1998 e edhe para kësaj date, ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat do të tregojnë se këto pretendime janë të rreme”, ka thënë ai.
Ndryshe, të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta.