Policia e Kosovës ka demantuar pamjet që kishte publikuar Lista Serbe dhe disa mediume serbe, ku pretendohej se një grua me fëmijën e saj në Zveçan është shqetësuar nga Policia e Kosovës në atë pjesë.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se njësiti policor i rendit publik nga stacioni policor Zveçan, sipas detyrës zyrtare, më 02.04.2023 pas orës 21:00, si zakonisht ka filluar me pikë kontrolli në qendrën e Zveçanit, për t’u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, dhe se gjatë realizimit të detyrave zyrtare të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, zyrtarët policorë në pikë kontrolli kanë treguar sjellje profesionale gjatë kontaktit me qytetarë, si dhe gjatë ndalimit të automjeteve për kontrolle rutinore, ku për këtë kanë përpiluar edhe njoftimet/raportet zyrtare.
“Përgjatë realizimit të pikës së kontrollit, diku rreth orës 21:45, afër njësisë policore, ka shkuar një femër (grua) me një fëmijë në dorë, bazuar në gjuhën e folur mund t’i përket komunitetit serb, e cila iu ka adresuar zyrtarëve policorë me pyetjet se pse po mbani pika kontrolli, pse po i ndaloni veturat, pse po na shqetësoni, kinse edhe burri i saj ka ardhur i shqetësuar në shtëpi kur ka kaluar me automjet këndej pari pranë patrullës policore etj. Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim dhe se nuk ka asnjë ankesë ndaj punës, prezencës apo sjelljes së zyrtarëve policorë dhe se nëse ju keni ndonjë ankesë për sjelljen e zyrtarëve mund të adresoni ankesë në stacion policor apo edhe te institucionet kompetente”.
Tutje, në njoftim thuhet se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë te njësia policore për të komunikuar me ta, dhe sipas të gjitha gjasave, për t’u realizuar pastaj xhirimet e video-sekuencës së publikuar.
“Andaj, bazuar në raportet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës përmes sjelljes profesionale vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu, ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës”.