Një punëtor i minierës “Trepça” ka humbur jetën në vendin e tij të punës.
Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti ka bërë të ditur se viktima 58-vjeçar dyshohet të ketë rënë nga një lartësi e objektit.
Hetuesit policorë me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
“Sot, rreth 07:00, Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës brenda kompleksit industrial “Trepça” është gjetur pa shenja jete viktima mashkull 58-vjeçar. Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi e objektit. Hetuesit policorë me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”.
Në ndërkohë, Portali Dukagjini ka kontaktuar edhe me kryetarin e Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Jonuzi.
Ai ka thënë se nuk ka më shumë informata sesa ato nga policia.