Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në fjalën mbrojtëse të tij e ka përmendur një takim në mes të përfaqësuesve të FARK-ut dhe UÇK-së, më 2 nëntor 1998, si përpjekje për t’u unifikuar ndaj Serbisë.
Ai tha se në këtë takim të rëndësishëm nuk mori pjesë Hashim Thaçi, për shkak se sipas tij nuk konsiderohej si vendimmarrës i rëndësishëm.
Vendimet për UÇK-në, sipas tij, merreshin nga Adem Demaçi.
“Thaçi nuk ka qenë fare në takim. Kush do ta merrte vendimin, anëtarët që ishin pjesë, Adem Demaçi, Bujar Bukoshi, një përfaqësues i UÇK-së dhe një i LDK-së. As nuk përmendej fare, as nuk mendohej që ishte vendimmarrës i rëndësishëm, apo një person që duhet ta identifikonin që ta krijonin këtë unifikimin të UÇK-së”, ka thënë ai.
Avokati tha se Thaçi nuk e kishte asnjë lloj përgjegjësie për operacione luftarake në terren.
“Sipas përgjegjësisë së komandës dhe kontrollit për operacione luftarake në terren, Hashim Thaçi nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie”, ka thënë ai.
Tutje, ai vijoi duke thënë se Hashim Thaçi nuk u përmend si njeri i rëndësishëm apo kryesor i UÇK-së, kur u takua Demaçi me përfaqësuesit e FARK-ut.