Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se personat që janë punësuar nëpërmjet platformës të “superpunës” tashmë kanë marrë pagën e parë.
Lajmin e ka bërë të ditur Murati nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku ka shtuar se bizneset që angazhojnë punëtorë përmes “superpunës” duhet të kalojnë disa verifikime në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Verifikimet janë si në vijim:
- Të deklarojnë punëtorët e angazhuar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK);
- Të deklarojnë punëtorët në ATK me pagë të njëjtë apo më të lartë sesa në shpalljen në superpuna;
- Të mos kenë obligime tatimore të papaguara ndaj ATK-së.
Në muajin mars ministri kishte bërë të ditur se përmes “superpunës” janë punësuar mbi 1 mijë të rinj.
E sipas Qeverisë së Kosovës, çdo i ri i moshës 18 vjeçare që nuk është i punësuar ka mundësi të punësohet përmes platformës “superpuna”.