Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me fjalimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë, ka thënë se “është aq e pagëlltitshme një çorbë kaq e shpifur” kur i sheh ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare të një populli të shtypur egërsisht, të akuzohen si “kriminelë lufte nga një organ i krijuar mbi bazën e fantazive të shthurrura me trafik organesh” duke aluduar kështu në raportin e Dick Marty-t.
Rama ka thënë se megjithatë UÇK nuk do të mundet nga padrejtësia.
Rama ka shpërndarë një fotografi me një pjesë të fjalimit të Thaçit, ku citohet të ketë thënë se “Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”.
Ndryshe, sot, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu drejtua Speciales, ku gjatë fjalimit të tij, shprehu keqardhje për të gjitha viktimat gjatë konfliktit më 1998-99.
“Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike”, tha Thaçi.
Thaçi hodhi të gjitha akuzat që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por, jam gati të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim”, tha Thaçi.
Thaçi tha se ky gjykim ka hequr “renë e zezë” mbi Kosovën, sa i përket pretendimeve të ish-senatorit amerikan, Dick Marty, për trafikim organesh nga UÇK-ja.
“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, tha Thaçi.
Ndryshe, edhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm dje para trupit gjykues.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës që rëndojnë mbi ta.