Viti 2022 do të jetë hera e tretë që Kosova do t’i nënshtrohet testit për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve, i njohur si PISA.
PISA, testi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, që bën vlerësimin e njohurive të nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën dy herë radhazi në fund të listës botërore gjatë vitit 2015 dhe 2018.
Rezultatet e testit të mbajtur në vitin 2015 ishin publikuar në vitin 2016, dhe Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72-vendeve që kishin marrë pjesë në test.
Ndërsa, rezultatet e testit të dytë që ishin publikuar më 2019, Kosovën e kishin radhitur në vendin e 77-të, në mesin e 79-vendeve që ishin pjesë e këtij vlerësimi.
Dallimi i vetëm ndërmjet këtyre dy testeve ishte forma e organizimit të tij. Testi i vitit 2018 ishte mbajtur në mënyrë digjitale.
Testi PISA, sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë(MAShTI), ishte paraparë të mbahej në vitin 2021, por është shtyrë për vitin 2022, për shkak të përballjes me pandeminë Covid-19.
Mbajtja e testit në këtë vit për njohësit e fushës së arsimit në Kosovë nuk ka pritje të një rezultati të mirë, sepse mësimdhënësit dhe nxënësit kanë pasur vështirësi në mënyrën se si është zhvilluar mësimi vitin e kaluar, si pasojë e pandemisë e cila ka prekur vendin qysh nga marsi i vitit 2020.
Kalimi nga prezenca fizike e nxënësve në atë online për të zhvilluar mësimin, sipas tyre, do të ketë ndikim edhe në rezultatet e testit të këtij viti.
Sipas MAShTI-it, në vlerësimin e testit PISA në këtë vit pritet të marrin pjesë rreth 7 mijë nxënës nga 237 shkolla.
Këtë e ka konfirmuar për RTV Dukagjini, zëdhënsja e MAShTI-it, Iliriana Pylla.
Sa i përket përgatitjes së nxënësve për këtë test dhe selektimit të tyre, ajo ka thënë se “në këtë lloj testi do të vlerësohen aftësitë e 15 vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.”
Ani pse pandemia ka pasur ndikim në çrregullimin e procesit mësimor dy vjetët e fundit, sipas saj, këta nxënës vlerësohen përgjatë nëntë vjetësh përgatitjeje.
“Bëhet fjalë për përgatitjen e nxënësve në nëntë vite të shkollimit, jo për përgatitje në disa muaj të fundit”, është shprehur Pylla.
Ndërsa sa i përket Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Prishtinë, është e hera e tretë që Kosova do t’i nënshtrohet këtij testi, por është hera e parë që ky test bëhet pas pandemisë.
Sipas Drejtoreshës së Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, pandemia ka pasur ndikim në mësimnxënie dhe, siç thotë ajo, “besoj se do të ketë ndikim edhe në rezultatet e këtij testi”.
“Pandemia dhe mësimi online kanë ndikuar globalisht në uljen e arritshmërisë në mësim për të gjitha grupmoshat. Pasiguritë që ka sjellë pandemia ka ndikuar jo vetëm në mungesën fizike në mësim, por edhe në anën psikologjike te fëmijët”, ka thënë Musmurati.
Sipas saj, këto rezultate nuk do të jenë vetëm ne Kosovë, por, globalisht, ato do të mund të ndikohen nga pandemia dhe e-mësimi.
Ajo, ndër të tjera, ka shtuar se nga komuna e Prishtinës do të marrin pjesë 28 institucione publike dhe private, ndërsa në testim do të marrin pjesë një mijë e 127 nxënës.
Ndërsa, sipas ekspertit të fushës së arsimit dhe njëherësh drejtorit ekzekutiv të Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, nuk vlerësohet që mund të ketë ndonjë përmirësim në rankim të Kosovës në testin PISA të vitit 2022.
“Statistikisht është vështirë e besueshme që të ketë një performancë më të mirë në testim, kur nuk ka ndonjë reformë të thellë në cilësi të mësimdhënies. Pra, do të jetë memorizimi në mësimnxënie, ajo që do të vazhdojë të penalizojë Kosovën në këtë testim dhe jo vetëm”, ka thënë ai.
Qehaja ka shtuar që nuk duhet të ketë vetëm synime të përparimit në testin PISA, por një synim gjithëpërfshirës për arsimin.
“Testi PISA nuk duhet të jetë qëllim në vete, synimi ynë duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit si interes shtetëror për zhvillim socio-ekonomik, dhe jo vetëm për rezultatet e testit. Nëse për hiçgjë tjetër, rezultatet e testit PISA po rikthejnë vëmendjen për cilësinë e vërtetë të arsimit në vend”, ka thënë Qehaja.
Eksperti i arsimit, sa i përket ndikimit të pandemisë në këtë test, ka thënë se do ketë ndikim, por jo ndikim signifikant.
“Pandemia do të ketë ndikim, mirëpo jo me ndonjë signifikancë të jashtëzakonshme. Rikujtoj që subjekt i testimit nuk është i kufizuar në 2 vitet e fundit por, përgjatë gjithë rrugëtimit në shkollimin fillor e të mesëm të ultë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, janë të metat e akumuluara të sistemit arsimor ndër vite që do të dëmtojnë rezultatin e këtij testimi sikurse në vitet paraprake.
Si funksionon testi PISA?
PISA është një projekt i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Ky test është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve, që vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.
Ky lloj testi nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që u është ligjëruar, por, gjithashtu, vlerëson nëse ata mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.
Pra, ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së nxënësve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen dhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri.
Kosova ndër vite si pjesë e vlerësimit të testit PISA
Kosova në vitin 2015 për herë të parë ka qenë pjesë e vlerësimit ndërkombëtar të këtij testi, ku ka treguar rezultate të dobëta duke u renditur e fundit në listën e vendeve pjesëmarrëse.
Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD-së që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.
Nxënësit kosovarë në vitin 2018 performuan nën këtë mesatare, duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.
Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.
Kosova përkrah vendeve të Ballkanit Perëndimor
Kosova në testin PISA ka performuar më dobët edhe krahas shteteve fqinje.
Serbia është radhitur e para nga shtetet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Edhe në vitin 2015, Kosova është renditur më poshtë se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia nuk ka marrë fare pjesë.
Pasojat e pandemisë në fushën e arsimit
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën në vitin 2021, në fushën e arsimit ka përmendur edhe faktin se 2.8% e nxënësve të Kosovës nuk ishin përfshirë në mësimin në distancë të organizuar në vitin shkollor 2019/2020 për shkak të pandemisë. Kjo, sipas tyre, erdhi për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike.
“Autoritetet duhet të rrisin mbështetjen financiare për të rritur shërbimet sociale dhe shëndetësore me bazë në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara, dhe të rrisin përpjekjet për t’i integruar ato në mënyrë efektive në institucionet arsimore”, thuhet në raport.
Cilësia e arsimit mbetet e dobët, siç dëshmohet nga dy vlerësimet e fundit të Programit OECD për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), me Kosovën që renditet e treta nga fundi.
“Reformat janë ende prapa për shkak të mungesës së teksteve të përshtatshme, materialeve mësimore dhe skemave të qëndrueshme të zhvillimit profesional për mësuesit”, thuhet më tutje në raport.
Ndryshe, për këtë vit, MAShTI-i ka theksuar se është duke i bërë përgatitjet me qëllim të ngritjes së vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA, ndërsa rezultatet e këtij testi do të bëhen të ditura në vitin 2023.