Avokati i Kadri Veselit ka treguar një rast se si dëshmitari i vetëm i thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) të Dhomave Speciale në Hagë kishte identifikuar Kadri Veselin gabimisht.
“Nuk ekziston as edhe një person i vetëm që ata (Prokuroria) propozon ta ftojë që ta ketë parë ndonjëherë Kadri Veselin duke bërë ndonjë gjë as për së afërmi të papërshtatshme”.
Më tej avokati Ben Emerson ka thënë se “Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë megjithëse, ai ishte i vdekur, dhe megjithëse deklarata e tij ishte vetëm në letër, ishte një dëshmitar i Prokurorisë i cili kishte pretenduar se e kishte parë një herë në një rast, Veselin në Kukës duke intervistuar një të ndaluar që do ta vendoste atë (Kadri Veselin) diku në aktakuzën që Prokuroria po e ndërton këtu”.
“Por, ishte e qartë që në fillim pasi pamë deklaratat dhe dëshmitë e mëvonshme të këtij dëshmitari se, ky dëshmitar kishte gabuar tërësisht në identifikimin e Kadri Veselit. Dhe në të vërtetë, ai e kishte thënë vetë këtë”, ka thënë ai gjatë mbrojtjes.
Emerson ka thënë gjithashtu se “Arsyet për këtë janë të shtjelluara në dosjen tonë paraprake, paragrafi 53, pika E. Javën që shkoi në prag të gjykimit, Prokuroria[ZPS] e njoftoi mbrojtjen se tash e pranon se ky dëshmitar në të vërtetë kishte gabuar në identifikimin e Veselit”, ka deklaruar ai.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar sërish i pafajshëm në seancën që sot (3 prill) ka hapur fillimin e procesit gjyqësor kundër katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
I pyetur nëse e konfirmon deklarimin e tij të parë si i pafajshëm, Veseli ka thënë “Po, tërësisht i pafajshëm”.
Veseli, po ashtu, ka shprehur pakënaqësinë e tij për vonesën e fillimit të procesit gjyqësor prej dy vjetësh e gjysmë.
Dy vjet e gjysmë pas mbajtjes në paraburgim të katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Hagë sot ka nisur procesi gjyqësor kundër tyre.
Ata akuzohen për krime lufte, duke i cilësuar si një “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”. Ky term, siç konsiderohet gjerësisht, përfshin gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila në vitet 1998-1999 zhvilloi luftën e saj për liri nga Serbia.
Për dy vjet e gjysmë të punës së saj, Gjykata Speciale është kritikuar për vonesën e fillimit të gjykimit, për zvarritje procedurale, për tentim të shmangies nga baza juridike e funksionimit të saj, për fshehje të provave shfajësuese, për redaktime të shumta, si dhe për bashkëpunim me shtetin serb – nga i cili ka pranuar mijëra dosje.