Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) nuk ishte në mesin e subjekteve politike, të cilat mbështetën marshin për drejtësi të organizuar nga platforma “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Një veprim i tillë ndonëse i pakuptueshëm, u vlerësua si jo i rastësishëm nga ana e analistit Dardan Gashi.
“Nuk është e rastësishme që ti si një parti politike [LDK] vendos të mos e përkrahësh një diçka të tillë. Për mua problematike, sepse kur lypim drejtësi, lypim drejtësi. Nuk ishte fushatë për të kërkuar mosdrejtësi. Nuk e kuptoj pse LDK-ja nuk ishte aty të paktën formalisht. Edhe VV-ja hyri si me zor”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, i njëjti tha se nuk duhet përjashtuar mundësia se një gjë e tillë mund të përdoret edhe për qëllime politike nga subjektet politike në vend.
Marshi “Liria ka emër” mblodhi afërsisht 100 mijë marshues në kryeqytetin e Prishtinës. I njëjti u mbështet nga PDK, AAK, LB, PSD, LVV dhe partitë e tjera, përfshirë edhe partitë e minoriteteve, por edhe nga figura publike e artistike të vendit.