Nis aksioni protestues për vrasjen e Sebahate Morinës, dhe vendimin e Kushtetueses me të cilin konstatoi që Morinës i janë shkelur të drejtat për jetë.
Vendosen shkresa të vendimit të Kushtetueses para Prokurorisë së Shtetit.
Me këtë aksion simbolik të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe organizata të tjera, është kërkuar dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë në Prishtinë Kujtim Munishi dhe i zyrtarëve policorë që ishin përgjegjës për mostrajtimin e rastit të Sebahates.
Kjo protestë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kishte konstatuar se institucionet kanë dështuar ta trajtojnë rastin e së ndjerës Sebahate Morina.
Kjo organizatë ka kërkuar shkarkimin e përgjegjësve në lidhje me këtë rast.
“Sebahate Morinës iu mohua e drejta për jetë. Kërkojmë shkarkimin e përgjegjësve! Me 22 mars 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi se Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit ia kanë shkelë Sebahate Morinës të drejtën në jetë. Ende nuk ka asnjë dorëheqje a shkarkim të personave përgjegjës. Nesër mblidhemi për aksion protestues para Këshillit Prokurorial të Kosovës (afër Neë Born) në orën 11:00. Ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni”, thuhet në njoftim.