Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës në lidhje me personat e pagjetur.
Ai ka thënë se ajo marrëveshje do të miratohet në takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.
“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do të mbledh”, ka thënë ai.
Borrell tha se të dyja palët janë zotuar për planin evropian si dhe për aneksin, teksa shtoi se pret nga ta t’i respektojnë detyrimet që u takojnë në mënyrë që zbatimi të fillojë sa më shpejt.
“Serbia dhe Kosova u zotuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj. BE pret që të dyja të respektojnë të gjitha detyrimet prej saj dhe të fillojnë zbatimin sa më shpejt”, tha ai.
Borrell u shpreh se “palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim. Përkthimi i angazhimeve të tyre në rrugët e tyre evropiane është në vazhdim”.
Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen më 22 prill në Bruksel.