Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në 24-vjetorin e Masakrës së Rezallës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në Rezallë të Skenderajt.
Kreu i PDK-së ka thënë se në këtë masakër forcat serbe vranë e masakruan 98 civilë shqiptarë, djem e burra të paarmatosur, dhe siç është shprehur ai këtë krim e bën edhe më mizor fakti që gati gjysmën e trupave i morën dhe i zhdukën, të cilët në vitin 2014 u gjetën në Rudnicë të Rashkës në Serbi.
“Për të nderuar viktimat e Masakrës së Rezallës, sot me kolegë nga Partia Demokratike e Kosovës bëmë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në Rezallë, të cilët ranë më 5 prill të vitit 1999, për t’u përjetësuar në historinë e përgjakshme të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka thënë se për familjarët dhe të mbijetuarit e kësaj masakre dhembja vjen e shtohet, e për Kosovën bëhet edhe më e domosdoshme nevoja për të kërkuar drejtësi dhe ndëshkim për kryesit e këtij krimi çnjerëzor.
Ndryshe, të mërkurën e 5 prillit bëhen 24 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhduknin.
Një pjesë e trupave u gjendën në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve.
Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.
Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.