“Demokracia në Veprim” ka vlerësuar se zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës nuk mund të jenë të lira dhe të drejta.
Kjo për shkak të mospjesëmarrjes së Listës Serbe në këto zgjedhje. Kjo situatë sipas tyre mund ta cenojë legjitimitetin e institucioneve që mund të dalin nga këto zgjedhje.
“Madje, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90% të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. DnV vlerëson se kjo situatë mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb”, thuhet në reagim.
Sipas DnV-së, për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhorë të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, si dhe e mungesës së interesimit të tyre për të aplikuar, KQZ-ja po përballet me sfida në zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt dhe të mirëfilltë zgjedhor.
“Paqartësitë lidhur me shfrytëzimin e qendrave ekzistuese të votimit, emërimin dhe trajnimin me kohë të komisionerëve, bartjen e materialeve zgjedhore janë disa nga problemet kyçe me të cilat pritet të ballafaqohen trupat menaxhuese të zgjedhjeve”, thuhet në reagim.
Po ashtu, kjo organizatë ka thënë se situata e sigurisë në katër komunat veriore ku pritet të ketë zgjedhje është e brishtë.
“Në përgjithësi, situata e sigurisë në katër komunat veriore vijon të jetë e brishtë. Dorëheqjet e zyrtarëve policor serb në ato komuna, përbëjnë handikap të madh në garantimin e sigurisë, veçanërisht gjatë procesit zgjedhor. DnV rikujton që krijimi i një ambienti të sigurt është parakusht thelbësor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, thuhet në reagimin e DnV-së.
Si pasojë, sipas DnV-së, komuniteti serb në veri të vendit mund të mos dalë në zgjedhje, që do ta cenonte legjitimitetin e institucioneve të reja.
“Në anën tjetër, për si rezultat i këtyre faktorëve, mund të pritet një mungesë e theksuar e interesimit të qytetarëve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo pritet të manifestohet edhe me dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 23 prillit”, thuhet në reagim.
Për këto arsye DnV vlerëson se rrethanat e tanishme nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, “në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta”.
Zgjedhjet në katër komunat veriore pritet të mbahen më 23 prill të këtij viti.