Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev dhe ambasadorin e Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut, Angel Angelov.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, krahas zhvillimeve në rajon, është diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj sipas dakordimit të 18 marsit në Ohër, si dhe për takimin e djeshëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, kreu i Qeverisë i ka falënderuar të dy ambasadorët për vizitën e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës.
Po ashtu, gjatë takimit, ai i ka njoftuar për arritjet e Qeverisë, e cila muajin e kaluar mbushi dy vjet që nga formimi i saj, dhe sipas tij, gjatë dy vjet punë, Kosova ka pasur rezultatet në sundimin e ligjit, përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe për progresin ekonomik, me theks te eksportet, që këtë vit për herë të parë pritet të kalojnë vlerën prej 1 miliard eurosh.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për marrëdhëniet e afërta ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe për mundësitë e reja për thellimin e zgjerimin e tyre, sidomos në fushën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, atë të kulturës si dhe të mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjithashtu, sipas njoftimit nga Qeveria, ambasadorët Gudjev dhe Angelov shprehën gatishmërinë e tyre për rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes Bullgarisë dhe Kosovës, si dhe dhanë mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.