Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka thënë se në vend që të kërkojë drejtësi Kosova nga lufta e Serbisë, ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë.
Hoxha gjithashtu ka përmendur dëmet që ka shkaktuar agresori serb në Kosovë dhe sipas saj si për ironi historia duket e rrokullisur.
“..kjo dhimbje nuk vjetrohet… por vjetërsohen e zbehen përvit kujtimet e rrëfimet tona sepse nuk i kemi ruajtur e shënjuar mjaftueshëm, sa duhet dhe si duhet. Sepse dëshmitarët e parë po vdesin. Dhe sepse nuk jemi kujdesur t’i legjitimojmë rrëfimet e shumta si kujtesë kolektive në një rrëfim që na përfaqëson të gjithëve”.
“Afër 10 mijë viktima civile. Afër 20 mijë viktima të dhunës seksuale. Ende mbi 1 mijë e 600 të pagjetur 1 mijë e 133 fëmijë të vrarë. Shkatërrime fizike të pronave private e trashëgimore. Dokumente të kadastrit e dokumente të tjera të rëndësisë civile e çka jo tjetër”, ka thënë ajo.
“1 mijë e 247 artefakte të trashëgimisë së luajtshme të Kosovës që Serbia as sot ende nuk i ka kthyer. Dhe drejtësia për gjithë këtë ende mungon. Dhe si për ironi sot historia duket e rrokullisur, e përmbysur” duke shtuar se “Kur në vend së të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi si viktima nga lufta e Serbisë – sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë”.
“E për ata që dikur marshuan drejt lirisë, të dielën Prishtina ishte e vogël për me i përqafu zemrat e mëdha të qytetarëve tanë. Kosova u bë bashkë për historinë e saj, Kosova u bë bashkë për të vërtetën e saj, Kosova duhet të jetë bashkë për të ardhmen e saj. Që të mos lejojmë padrejtësi të reja në emër të drejtësisë”, ka thënë Hoxha në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.