Gjykata Supreme ka liruar nga akuzat Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015.
Lajmin për RTV Dukagjini e ka konfirmuar Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.
“Ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, ka deklaruar ajo.
Në vitin 2015, Donjeta Pajazitaj ishte privuar nga jeta në bjeshkët e Strellcit në mënyrë mizore, vrasje të cilën pretendohej se e ka kryer kushëriri i saj, Naser Pajazitaj.
Më 8 qershor 2017, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë ndaj Naser Pajazitajt. Sipas kësaj aktakuze, ai dyshohet se e kishte marrë viktimën me veturë në fshatin Strellc, e kishte dërguar atë në malet e Strellcit, e kishte vrarë me dy plumba dhe, për të humbur gjurmët, trupin e saj e kishte mbuluar me disa drunj.
Ndërkaq, më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn.