Aktori i njohur Australian, Chris Hemsworth, i ka ndarë pamjet e para të filmit të tij të ardhshëm aksion, “Extraction 2”, pavarësisht njoftimeve se do të bëjë pak pauzë nga aktrimi.
Ylli i filmave “Thor” thuhet se po planifikon t’i zvogëlojë angazhimet në filma, pasi e zbuloi se është në rrezik të lartë për t’u prekur nga sëmundja Alzheimer, si pasojë e një predispozicioni gjenetik.
Aktori 39-vjeçar mësoi për diagnozën e tij teksa po u nënshtrohej disa testimeve rutinë gjatë xhirimit të dokumentarit të ri, “Limitless”, i cili transmetohet në platformën Disney Plus.
Megjithëkëtë, duket se ai i ka realizuar edhe disa projekte filmike të cilat kërkojnë impenjim të madh fizik në mesin e të cilëve është edhe “Extraction 2”. Në një video të postuar në Instagram ai e feston lansimin e filmit të ardhshëm të Netflixit, në qershor të këtij viti.
“Dy gjëra janë më ndryshe në këtë vazhdim, krahasuar me filmin e parë. Një, është xhiruar në mot shumë të ftohtë. Dy, unë jam gjallë. E si është e mundur kjo, e kuptoni pasi ta shikoni filmin”, shkruhej në mesazhin e postuar nga aktori.
Në filmi e parë “Extraction”, Hemsworth e portretizon një mercenar të tregut të zi, Tyler, i ngarkuar me një mision të rrezikshëm të shpëtimit të djalit të kidnapuar të një krimineli të burgosur. Mirëpo, pas një beteje të ashpër dhe plagëve të marra si pasojë, ai duket sikur e humb jetën në këtë film.
Megjithëkëtë, Tyler rikthehet në vazhdimin e dytë, sërish në një mision për shpëtimin e një familjeje të burgosur dhe duke luftuar kundër një gangsteri të pamëshirshëm nga Gjeorgjia.