Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, Grupi për Ballkan ka organizuar konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kushtetuta e Kosovës i mishëron parametrat më të mëdha.
“Duhet ta kuptojmë gjithmonë se Kushtetuta e Kosovës ishte produkt i fazave nëpër të cilat kaloi Kosova”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ishte projekt ndërkombëtar dhe vendor.
Kryeparlamentari Konjufca vlerësoi se kushtetutshmëria e Kosovës është ende në formësim e sipër. “Trashëgimia kushtetuese po prodhohet vazhdimisht, ajo po vazhdon edhe sot”, theksoi ai.
“Kosova shumë shpejt do të futet në një fazë të stabilitetit kushtetuese, në njëfarë mënyrë është shumë e nevojshme, pas gjithë të kësaj që kemi kaluar, po shoh se jemi të gatshëm të kalojmë në një fazë të stabiliteti kushtetues, situata tani është më e qartë sesa para 10 viteve”, deklaroi ai, raporton RTK.
Ndryshe, në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i politikave “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim Gjithëpërfshirës & Analizë Ligjore”, që analizon 21 çështje kushtetuese që lidhen me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe propozon zgjidhje për mangësitë kushtetuese.