KMDLNJ: Gjykata Speciale nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës t’i kompensojë viktimat

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka vlerësuar se Gjykata Speciale nuk mund të detyrojë Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, që t’i kompensojë viktimat.

Ky reagim vjen një ditë pasi Gjykata Speciale ka vendosur që 8 viktimat në rastin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, të kompensohen me 207 mijë euro.

Sipas kësaj gjykate, nëse konstatohet se Salih Mustafa nuk ka mundësi t’i paguajë këto mjete, atëherë zhdëmtimi i viktimave mbetet të bëhet nga Qeveria e Kosovës.

Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se ky vendim nuk ka bazë ligjore.

Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë e ka bazën e gabuar ligjore, sepse në këtë ligj nuk përmendet mundësia që as drejtpërdrejt e as në mënyrë të tërthortë, të bëhet zhdëmtimi i viktimave të supozuara që janë shkaktuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës apo kompensimi në baza mujore, siç parashihet për kategoritë e tjera që trajtohen nga Ligji Nr. 04 /L -054”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se aktualisht nuk ka asnjë bazë ligjore që do të zhdëmtojë apo kompensojë në baza mujore viktimat e supozuara nga UÇK-ë, dhe rrjedhimisht për këtë arsye Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, nuk mund të ngarkohet me detyrime që nuk janë të rregulluara me Ligj.

“Për ta ekzekutuar vendimin e Gjykatës Speciale, duhet të krijohet një bazë ligjore sikur që edhe ekspertë nga Kosova duhet të ngarkohen me përgjegjësi me përcaktimin e shumës së zhdëmtimit. Sipas ligjeve të Kosovës ekzekutimi i zhdëmtimit duhet të bëhet përmes procesit të përmbarimit, ndërsa Gjykata Speciale nuk ka përmbarues të saj në ndërkohë që nuk i beson asnjë institucioni të Kosovës përfshirë këtu edhe përmbaruesit, prandaj kërkon të formohet një autoritet mbikëqyrës për zbatim të urdhrit për dëmshpërblim”, thuhet tutje.

Sipas njoftimit të KMDLNJ-së, kohë më parë Gjykata Speciale në Hagë i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me disa pyetje, për të sqaruar mënyrën dhe mekanizmat që i kompensojnë viktimat duke shprehur dyshime të mëdha në gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për kompensimin e viktimave që ua njeh këtë status kjo gjykatë, sidomos në lartësinë e shumës, me të cilën, do të kompensoheshin.

“Qartazi nuk ishin të kënaqur me përgjigjen e kësaj Ministrie, e cila në përgjigjen e saj e sqaroi se në Kosovë është një Komision për Kompensim të Viktimave të Krimit, por që viktimat e supozuara nuk mund të përfitojnë asnjë kompensim sipas ligjit në fuqi, sepse nuk përfshihen në kategoritë përfituese sipas këtij ligji”, thuhet në reagim.

Tutje, thuhet se Gjykata Speciale me asgjë nuk e dëshmon se është e Kosovës.

“Nuk i përgjigjet me asgjë dhe për asgjë asnjë autoriteti të Kosovës, jotransparente deri në konspiracion për autoritetet dhe opinionin e Kosovës dhe ndërkombëtar, me një mandat të devijuar dhe të degraduar nga qëllimi për çka ishte themeluar i shndërruar në një grup përfituesish të dështuar në Kosovë dhe në vendet tjera ku kanë punuar, duke siguruar për veten e tyre përfitime marramendëse, as që kanë ndonjë interesim që ta dinamizojnë punën e tyre që të mos i dëmtojnë të arrestuarit, duke i mbajtur për vite të tëra në paraburgim dhe gjykim, përtej çdo kohe të arsyeshme, nuk mund të vendosë dhe zbatojë standarde të dyfishta, paga marramendëse që nuk i ka asnjë institucion që është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës ( këta thonë se janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës me seli në Hagë!!!!), kurse në anën tjetër ta ngarkojnë buxhetin e Kosovës me shpenzime marramendëse dhe të cilat është dashur të jenë barrë e Gjykatës Speciale, ashtu siç janë edhe rrogat e tyre të çmendura”.

“Këta si çakej juridikë me një këmbë janë në Hagë, kurse me tjetrën janë në Ukrainë apo vend tjetër ku ka lufta dhe ku shohin mundësi marramendëse përfitimi. Mos u habitni nëse nesër po kjo Gjykatë Speciale të kërkojë nga Kosova t’ua paguajë pushimet dimërore në Sent Moric dhe ato verore në Dubai. Hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit e Dubait, prostitucion juridik! ”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Gjykata Speciale të enjten ka nxjerrë një vendim, me të cilin, e detyron ish – komandantin e UÇK-së t’u paguajë 207 mijë euro viktimave.

Me urdhrin e gjykatës për zhdëmtim u përfshinë tetë viktima.

“Një nga aktorët e parë mund të jetë Kosova”, – Kush do të paguajë 207 mijë euro, nëse s’ka mundësi Salih Mustafa?

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika