Gazetari i burgosur i REL-it, Ihar Losik kthehet në izolim në Bjellorusi

Ihar dhe Darya Losik.

Gazetari i shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë, Ihar Losik është kthyer në izolim, pas raportimeve se ka tentuar të bëjë vetëvrasje.

Ai ndodhet në burg që nga vera e vitit 2020 dhe javët e fundit nuk ka pasur asnjë informacion konkret për të.

Një burim, i cili ka njohuri për rrethanat e ndalimit të tij në qytetin e Navapolatsk, në verilindje të Bjellorusisë, informoi shërbimin bjellorus të Radios Evropa e Lirë, më 5 prill, se gazetari është kthyer në izolim.

Nga zyrtarët e burgut nuk ishte e mundur të merrej përgjigje për të verifikuar arsyet pse Losik u vendos në izolim.

Muajin e kaluar, kur Losik ishte për herë të fundit në izolim, thuhet se hyri në grevë urie për të protestuar ndaj urdhrit dhe tentoi të bëj vetëvrasje më 15 mars duke prerë kyçet dhe qafën. Më pas ai u transferua në një institucion mjekësor ku mori 68 qepje.

Në dhjetor të vitit 2021, Losik u dënua me 15 vjet burg për disa akuza, duke përfshirë “organizimin e trazirave masive, nxitjen e urrejtjes shoqërore” dhe disa akuza të tjera që mbetën të paqarta.

Gazetari thotë se është i pafajshëm dhe të gjitha akuzat ndaj tij i quan të motivuara politikisht.

Së bashku me Losik, me burg u dënuan Syarhey Tsikhanouski , bashkëshorti i udhëheqëses së opozitës në mërgim Svyatlana Tsikhanouskaya, por edhe të tjerë.

Arrestimet pasuan në mes të një goditjeje brutale nga autoritetet bjelloruse ndaj opozitës, pas protestave masive disamuajshe kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat e mbajtën në pushtet liderin autoritar Alexander Lukashenka.

Zyrtarët e burgut nuk kanë komentuar lidhur me statusin e Losikut, ndërkaq familja dhe avokatët e tij, që nga muaji shkurt, nuk kanë mundur të marrin informacione për të apo ta kontaktojnë.

Avokati i tij, Artsyom Syamyanau, u arrestua më 20 mars dhe u dënua me 15 ditë burg për gjoja mosbindje ndaj urdhrave të policisë. Më pas, më 4 prill, ai u arrestua përsëri dhe u dënua me 15 ditë burg shtesë.

Avokati i ri i Losikut, emri i të cilit fshihet për shkak të shqetësimeve të sigurisë, vizitoi burgun në Navapolatsk, më 3 prill, por nuk u lejua të takohej me gazetarin. Arsyeja, sipas drejtorit të burgut, është se Losik nuk ka dërguar kërkesë me shkrim për t’u takuar me përfaqësuesin e tij ligjor.

Avokati bëri një kërkesë në emër të klientit të tij, por ajo u refuzua. Ngjashëm është refuzuar edhe përpjekja e mëparshme e përfaqësuesit ligjor të Losikut, për t’u takuar me të, më 10 mars.

Ky është avokati i katërt i gazetarit të arrestuar, ndërkaq tre të mëparshmit janë ekspozuar ndaj presioneve të autoriteteve, përfshirë edhe paraburgimet. Nën presion është edhe familja e Losikut.

Në tetor 2022, gruaja e tij Darya u arrestua dhe u akuzua se kishte dhënë një intervistë për kanalin televiziv polak Belsat, të cilin Minsku e ka cilësuar zyrtarisht si një grup ekstremist. Më 21 mars, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e saj kundër dënimit.

Ajo u transferua në burgun e grave në Homel.

Në shkurt të vitit 2023, Ihar Losikut iu mohua vizita nga prindërit e tij, të cilët aktualisht kanë kujdestarinë për vajzën e tij katërvjeçare. Letrën e fundit nga Losik, prindërit e tij e morën në shkurt.

Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Ihar dhe Darya Losik, ndërsa presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly gjithashtu bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të çiftit dhe dënoi burgosjen e tyre.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika