Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se projekti për modernizimin e dy njësive të TC Kosova B do të sigurojë që të njëjtat të punojnë me efikasitet më të lartë, prodhim më të besueshëm, e njëherit, kosto më të ulët.
Me anë të një postimi në Twitter, KEK-u ka shkruar se përpos përfitimeve të lartcekura, do të zgjatet edhe jetëgjatësia e turbinave.
“Sot, Korporata Energjetike e Kosovës ka organizuar ceremoninë e marrëveshjes për një investim të rëndësishëm në vlerë prej 47.9 milionë EURO për modernizimin e turbinave të dy njësive të TC Kosova B, duke shfrytëzuar avancimet më të fundit teknologjike. Projekti do të implementohet nga kompania e mirënjohur amerikane General Electric (GE). Projekti i modernizimit do të sigurojë që dy njësitë e TC Kosova B të funksionojnë me efikasitet më të lartë, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më të ulët. Ky investim madhor do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 MW për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient. Modernizimi do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave për 20 vite të tjera dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve kapitale të tyre nga çdo 5 vjet në çdo 8-9 vjet”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, KEK-u shkruan se modernizimi në këto dy njësi do të luajë edhe rolin e vet në mjedis gjersa paralelisht do të ketë zhvillime të tjera teknologjike.
“Modernizimi i mëtejshëm i Termocentraleve do të ketë një ndikim të rëndësishëm edhe në mjedis. Paralelisht me këtë projekt, KEK do të investojë edhe në teknologjitë e reja që do të na mundësojnë reduktimin e emetimeve si dhe varësia nga lëndët djegëse fosile do të ulet ndjeshëm, duke reduktuar kështu edhe gjurmën e karbonit. Projekti i modernizimit të termocentraleve tona do të rrisë në mënyrë të ndjeshme sigurinë e operimeve të prodhimit të energjisë elektrike. Fokusi ynë është që të rrisim qëndrueshmërinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e operimit të termocentraleve tona, dhe kjo do të sigurojë që KEK do të përmbush kërkesën në rritje për energji elektrike duke minimizuar ndikimin mjedisor”, thuhet në njoftim.
Të premten, Korporata Energjetike e Kosovës ka organizuar ceremoninë e marrëveshjes për një investim të rëndësishëm në vlerë prej 47.9 milionë eurosh për modernizimin e turbinave të dy njësive të TC Kosova B, së bashku me kompaninë amerikane, General Electric (GE).