Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se beteja kundër konsumimit të duhanit është e gjatë, por me rezultate të shpejta.
“Pa duhan më shumë shëndet! Duke qenë se rruga jonë është Bashkimi Evropian, çdo ditë e më shumë Evropë do të sjellim në vendin tonë. Jam fort i përkushtuar që këtë objektiv ta përmbushë çdo ditë e në secilin segment. Siç po e çrrënjosë çdo ditë kancerin në Ministri të Bujqësisë, çdo ditë do ta çrrënjosë pirjen e duhanit në hapërsira të brendshme. Zero tolerancë për konsumimin e duhanit në hapërisra të brendshme është zero tolerancë me fjalë e veprim”, ka shkruar ministri Peci.
“Siç mund t’i konsumojë dikush nga 50 kafe në ditë, mund t’i konsumojë edhe cigaret, ama jo në brendi të kafeneve, restoranteve, hoteleve, zyrave…”, ka shkruar tutje ministri i Bujqësisë.
Ai ka shtuar se “secili bën atë që përfaqëson” dhe se ai e përfaqëson ligjin.
“Unë e përfaqësoj ligjin, e dikush cenimin e tij. Dikush në veri të vendit fton publikisht për refuzim të zbatimit të ligjit, teksa ndonjë “trim”, gjetiu e bën të njëjtën gjë. Esenca është e njëjtë, të refuzohet zbatimi i ligjit të Republikës së Kosovës. Por, me ligjin kompromis nuk ka. Njëherë ligjshmëri, përherë ligjshmëri!”, ka theksuar tutje ministri Peci.