Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës ka propozuar subvencionimin me 500 euro për nënat lehona me gjendje jo të mirë financiare përfituese të skemës sociale.
Këtë e ka bërë të ditur, drejtoresha Adelinë Sahiti, nga drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Drejtoresha Adelinë Sahiti njoftoi se ky propozim-vendim është futur në agjendë për seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe ka ftuar të gjithë këshilltarët komunalë që ta përkrahin atë.
Për këtë propozim ajo ka thënë se ka marrë përkrahjen e Komitetit për Politika dhe Financa
Sahiti, po ashtu, bëri të ditur se kanë realizuar një hulumtim për vlerësimin e nevojave të familjeve me skemë sociale.
Nga 1014 familje që ishin pjesë e hulumtimit, drejtoresha ka bërë të ditur se 80 për qind kanë deklaruar se kanë të hyra mes 100 dhe 300 euro në muaj, 17 për qind mes 300 dhe 500 dhe pjesa tjetër mbi 500.
“Atë sot e prezantova para Komitetit për Politikë dhe Financa, ku njëzëri u mbështet nga shefat e grupeve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Prishtinës! Sa për ta ilustruar më me detaje, referuar hulumtimit të realizuar, 80% e familjeve të përfshira në këtë hulumtim (në të cilin kanë marrë pjesë 1014 familje), deklarojnë se kanë të hyra mes 101-300€ për muaj, 17% mes 301-500€ dhe pjesa tjetër mbi 500 euro”, ka shkruar Sahiti në rrjetin social Facebook.
Pra, sipas saj, ky është vetëm një nga argumentet e shumta që tregon se sa e nevojshme është kjo ndihmë, e cila pritet të realizohet për herë të parë në Komunën e Prishtinës.
Që nga viti i shkuar Qeveria ka nisur ndarjen e shtesave për lehonat. Lehonat që kanë qenë të papunësuara në 12 muajt e fundit mbështeten me nga 170 euro në muaj për gjashtë muaj rresht.
Ndërkaq lehonat që kanë qenë të punësuara në ndonjërin prej muajve, në 12 muajt e fundit para lindjes, mbështeten me 170 euro në muaj për tre muaj radhazi.