Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për Ditën e Kushtetutës ka thënë se janë krenarë që kanë Kushtetutë moderne.
“Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar, që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit, duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar Haradinaj.
I pari i AAK-së ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është “motori i demokracisë dhe zhvillimit, por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë”.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike, e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike”, ka shtuar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së ka ftuar Qeverinë të tërhiqet nga “sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite”.