Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, teksa ka kujtuar 24-vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo betejë e ka ngritur moralin për popullin e Kosovës.
“24 vite qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga heroi Agim Ramadani, i dhanë fund ndarjes së kombit shqiptar, duke thyer kufirin Kosovë – Shqipëri. Kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së – Betejës së Koshares, e cila forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës”, shkroi ai.
Krasniqi është shprehur mirënjohës për kontributin e luftëtarëve të lirisë dhe sakrificën e dëshmorëve.
“Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares”.
Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, ishte njëra ndër më të përgjakshmet të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.