Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, e ka parë shqetësuese natalitetin në vend dhe ikjen e mësimdhënësve nga vendi.
Ai ka thënë se aktualisht nuk është problem, por që me kalimin e viteve mund të sjellë pasoja të mëdha për arsimin në Kosovë.
Njësoj e ka parë edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja. Jasharaj e Qehaja kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë në këtë drejtim.
Jasharaj ka thënë se shkaku i zhgënjimit nga Ligji i Pagave, mund të shtojë numrin e mësimdhënësve që të largohen nga Kosova.
Krahas pakënaqësisë me Ligjin e Pagave, Jasharaj ka shtuar se ka zhgënjim edhe me paralajmërimet për ritestim të mësimdhënësve.
“T’ju them të vërtetën arsimi i Kosovës është goxha i goditur me këtë, me dy goditje edhe me mungesën e natalitetit, por edhe me ikjen fatkeqësisht të pjesës më vitale në Kosovë, e them jemi të goditur te numri gjithmonë e më i shprehur i rënies së numri të nxënësve, te personeli mësimor nuk kemi shifra, por po të ishte prezent në numër të madh do ta kishim këtë alarm, ka lëshime individuale që në tërësinë e 23 mijë e sa janë nuk është alarmante, por duke u bazuar në zhgënjimin nga Ligji i Pagave, duke u bazuar në presionet që vazhdimisht iu bëhen me fjalë, nganjëherë qofshin ose mos qofshin lajme të vërteta, jo testi, duke ua vënë në pikëpyetje arritjet që i kanë bërë në fakultet”, është shprehur Jasharaj në një intervistë për EO.
Ndonëse aktualisht nuk e sheh shqetësuese largimin nga Kosova, Jasharaj ka një brengë tjetër. Ai ka thënë se në Kosovë ka filluar të bjerë numri i nxënësve. Sipas tij, kjo paraqet rrezik që të mbyllet ndonjë shkollë si mungesë e nxënësve.
“Nataliteti është se do të na krijojë probleme në të ardhmen, është një rrezik për krejt Kosovën dhe do të na qesë në hall në të ardhmen e afërt me mbyllje të paraleleve, me mbyllje të ndonjë shkolle, pastaj shteti dhe ne duhet të kemi kujdes se këta njerëz nuk mund t’i hedhim në rrugë, nga ana tjetër po them duke parë një zhgënjim të mësimdhënësve me Ligjin e Pagave, duke parë një presion të vazhdueshëm që iu bëhet, një fyerje publike që iu bëhet, madje kemi deklarata të individëve që Qeveria nuk distancohet se po prodhojmë analfabetë se këta nuk janë punëtorë të mirë, mësimdhënësi në të ardhmen e afërt duke parë pagën e tij që nuk është në nivel, duke parë gjithë këtë presion dhe kërkesat që iu bëhen pa iu ofruar kushte pune, ata mund të vendosin ose ta ndërrojnë profesionin brenda Kosovës, ose më e keqe se kjo t’i marrin familjet si shumë të tjerë dhe të shkojnë jashtë, për të bërë punë çfarëdo po për një jetë më të mirë”, ka thënë Jasharaj.
Ndryshe nga kryesindikalisti Rinor Qehaja, drejtor në Institutin “EdGuard”, ka thënë se afër 2 mijë mësimdhënës janë brenda sistemit të punës e qindra të tjerë në pritje për t’u rekrutuar për mësimdhënës.
“Unë rikujtoj që kemi një tepricë të mësimdhënësve në mbi 2 mijë sosh, të cilët veç janë brenda sistemit dhe paguhen për punën që nuk e bëjnë dhe të njëjtën kohë që kemi qindra mijëra të tjerë, të cilët janë në pritje për rekrutim si mësimdhënës. Sikur dhe që kemi plot të diplomuar që i shtohen komunitetit të mësimdhënësve çdo ditë nga Fakulteti i Edukimit të gjitha institucioneve publike ne vend. Pra, nuk është problem aktual që do të mund të na cenonte diçka, por nëse trendet e tjera vazhdojnë dhe jo vetëm migrimi si faktor, por edhe pastaj pakënaqësi në profesion padyshim që në atë rast do të duhej të kishim një reagim shumë të fuqishëm institucional që për ta bërë mësimdhënien më atraktive”, është shprehur Qehaja, për EO.
Qehaja ka kritika për mungesë të reagimit institucional për rënien e numrit të nxënësve.
“Numri në rënie i nxënësve nuk është befasuese, pra ka projeksione statistikore nga Agjencia e Statistikave për vite më radhë që na thërrasin për këtë. Ajo çka është befasuese është mungesa e një reagimi institucional për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe strategjike për këtë problematik. Ajo zgjidhje vije kur pikë së pari kemi një analizë të dhënave, pra një evidencë se kush është numri i saktë i nxënësve në shkollat tona, kush është numri i saktë karshi numrit të mësimdhënësve, karshi hapësirave shkollore, dhe vetëm atëherë mund të krahasojmë me projeksione statistikore demografike për të ardhur te një dokument nacional që do të na jepte një rrugëtim mbi strukturimin e shkollave në nivel vendi”, ka thënë në fund Qehaja.