Djegiet e veturave në veri – “sinjal për destabilizimin e situatës në prag të zgjedhjeve”

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se incidentet që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës, ku janë djegur disa vetura të riregjistruara me tabela RKS, janë sinjale se në atë pjesë të vendit ekzistojnë tendencat për tensionimin dhe përshkallëzimin e situatës

Ilustrim

“Tendenca për destabilizim në veri të vendit është e kufizuar dhe nuk mund të përhapet në pjesën tjetër të Kosovës, apo në rajon”.

Kështu ka thënë ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shkëlzen Sopjani, në një prononcim për Portalin Dukagjini.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi AKI ka informacione që në Rashkë të Serbisë dy grupe po zhvillojnë trajnime për ta destabilizuar veriun e Kosovës.

Këtë informacion e ka dhënë kryetarja e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se ua ka dhënë drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Sipas saj, pjesëtarë të së ashtuquajturës ”Organizatë për Mbrojtje Civile” po trajnohen në Rashkë për gjuajtje me armë e taktizime, që synim kanë të destabilizojnë veriun në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Harta e Kosovës dhe pjesa e rrethuar me ngjyrën e kuqe, është një pjesë e territorit të Rashkës në Serbi ku po zhvillohen stërvitjet e të ashtuquajturës ”Organizatës për Mbrojtje Civile”

Në lidhje me këtë si dhe me djegien e automjeteve javëve të fundit e kërcënimet e tjera në veri, Sopjani ka thënë se janë shenja kur tentohet destabilizimi, sidomos tash kur po pritet të mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat veriore.

“Nuk jam shumë i shqetësuar se do të ndodhë diçka e që nuk mundemi t’i dalim zot apo të ballafaqohemi”, ka thënë ai.

Tutje, ai u shpreh se rreziku kryesor për sigurinë në veri të Kosovës vjen nga Serbia, e cila shtyhet apo ndikohet nga Rusia.

Sipas tij, Rusia e Serbia kanë për qëllim ta destabilizojnë tërë rajonin e Ballkanit.

“Rreziku kryesor vjen prej strukturave të dirigjuara nga Serbia, strukturave të sigurisë në Serbi. Përmes atyre strukturave është shumë aktive edhe Rusia. Në ato struktura është shumë aktive Rusia, ndoshta edhe vetë Vuçiqi nuk mundet të dirigjojë strukturat e veta siç ia dirigjon Moska, Putini”, ka thënë ai.

Shkëlzen Sopjani – Ish- inspektor i përgjithshëm në AKI

Ai më tej ka thënë se grupi famëkeq rus, Wagner, ka pasur prezencë edhe në veri të Kosovës, të cilët janë përkrahur direkt nga Rusia.

“Vulini është evidente, prej burimeve të hapura, është s’po them i rekrutuar, por është i ndikuar prej strukturave të sigurisë (Rusisë), bën fotografi me simbole të Vagner. Gashi ka qenë drejtor i shërbimit inteligjent në Serbi, që e ndërron vendin me Vulinin, këta dy janë të lidhur me Rusinë. Vulini ka pasur vizita të shpeshta me Putinin, kërcënimi vjen prej Serbisë me ndihmën e Rusisë. Ka pasur pjesëtar të grupit Wagner edhe në veri, ata janë privat por realisht dirigjohet nga Putini”, ka thënë Sopjani.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi për Portalin Dukagjini ka thënë se ky nuk është rasti i parë që Serbia trajnon grupe në Rashkë për të destabilizuar situatën në veri, pasi sipas tij, qysh më herët Serbia ka trajnuar strukturat ilegale që të shkaktojë frikë me prezencën e tyre.

Ibishi ka thënë se akterët ndërkombëtarë duhet të kenë parasysh këto publikime të të dhënave dhe të fillojnë me mbylljen e këtyre strukturave.

“Nuk është rasti i parë, pasi Serbia qysh më herët ka trajnuar grupe në Rashkë siç janë kazermat dhe poligonet, por përparësi tashmë është se kjo është duke u shfaqur dhe duke u publikuar. Strukturat paramilitare të cilat vetë i ka trajnuar që të shkaktojë me prezencën e tyre, për këtë arsye ky sistem i luftës hibride bën që me këtë sistem të bëhet ajo që rusët kanë bërë në shumë vende si në Ukrainë më 2014”, ka thënë Ibishi.

Nuredin Ibishi

Ai ka thënë se përmes këtij presioni, Serbia po tenton ta mbajë peng Kosovën në çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin e çështjet e sigurisë në vend.

“Rreziku është nga këto që do të krijohen si struktura që do i kundërvihen prezencës së policisë kur të bëhen zgjedhjet, presidenti serb mbajti një takim me deputetët e Listës Serbe, paralajmëruan platforma dhe masa politike ekonomike e deri te ato të strukturuara, që nënkupton përkrahjen e forcave ekstremiste në kohën e zgjedhjeve. Në anën tjetër, do të ketë përforcim të policisë edhe nga ana e Kosovës, futja e forcave të sigurisë që të bëjnë kontrollin e kufirit dhe të rrugëve qarkulluese, sidomos ku ka të bëjë me qendrat e votimit”, ka vijuar ai.

Se çfarë duhet të ndërmarrin organet e sigurisë, Ibishi ka thënë se policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet përgjegjëse të sigurisë janë duke i futur në listë ekstremistët të cilët janë duke bërë vepra të tilla si djegia e veturave dhe sulmi ndaj zyrtarëve policorë.

Pamje të djegies së veturave në veri më 30 mars 2023

“Policia po ndërmerr masa, Ministria e Punëve të Brendshme, ka arrestuar të dyshuar për zjarrvënie në automjete … menjëherë i fusin në sistem ekstremistët, një pjesë e serbëve kanë filluar të regjistrojnë veturat me targa RKS, kjo ka hasur në reagim ku kanë filluar të djegin dhe t’i kërcënojnë, pra është një paralajmërim për zgjedhjet që do të vijnë që do të ketë kundërvënie të çdo forme”, ka theksuar Ibishi.

Ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 kanë qenë të raportuara gjithsej 10 raste të zjarrvënies së veturave në veri të vendit.

Kjo shifër ka rastisur të jetë e njëjtë edhe përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023.

“Gjatë vitit 2022 të raportuara gjithsej kanë qenë 10 raste të zjarrvënies së veturave. Gjatë vitit 2023 gjithsej janë raportuar 10 raste të zjarrvënies së veturave. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e kryesve të këtyre veprave penale. Janë intervistuar ankuesit/viktimat dhe një person është arrestuar me dyshimet e arsyeshme se ka kryer këto vepra penale në komunën e Zubin Potokut”.

Për këto vepra penale, Policia ka arritur të arrestojë një të dyshuar në Zubin Potok, i cili tashmë me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Me datën 01.04.2023, në Zubin Potok, PK ka arrestuar një të dyshuar mbi dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare”, ”zjarrvënie”. Lidhur me rastin me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Për sulmet e tilla dhe djegiet e veturave në veri ka pasur reagime të shumta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim “frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie”.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Serbia po mundohet ta destabilizojë situatën përmes djegies së veturave.

“Muaji mars ka qenë muaj i shtimit të gatishmërisë së qytetarëve për t’i konvertuar targat. Brenda pak ditëve janë regjistruar afërsisht një e dhjeta e veturave të cilat nuk kanë qenë të konvertuara ende dhe me atë ritëm shumë shpejt do të kishim mundur t’i konvertojmë shumicën absolute të targave ilegale në Kosovë. Situata ka ndryshuar në prag të takimit në Bruksel”, ka shtuar Bislimi, duke theksuar se pas kësaj situate të djegies së veturave ka pasur ritëm të vogël ose ndalje të konvertimit të targave nga ilegale në RKS.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se “dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit”.

Reagim pati edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA), Jeff Hovenier, i cili u shpreh se “Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”.

Po ashtu, edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, e quajtën akt të papranueshëm djegien e veturave në veri duke kërkuar hetime të shpejta.

Grupe të serbëve në veri bllokuan me barrikada disa rrugë në veri të Kosovës në fund të vitit të kaluar, dhe një nga arsyet për këtë veprim ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u arrit një marrëveshje për targat dhe
Kosova hoqi dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, ndërkaq Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Kjo çështje u diskutua edhe në takimin e fundit në mes të dy kryenegociatorëve, Bislimit dhe Petkoviqit, në Bruksel.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika