Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se pasi minatorët kanë dalur nga miniera e “Trepçës” në Stantërg, inxhinierët e Trepçës kanë filluar të punojnë për rregullimin e ashensorit të stafit.
“Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ndodhet në hyrje të minierës, bashkë me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça” ShA, Enis Abdurrahmani, dhe anëtarët e bordit mbikëqyrës.
“Gjendja e minatorëve është e mirë”, njofton Ministria e Ekonomisë.
“Z. Mjeku ka falënderuar xehetarët dhe inxhinierët e Trepçës për angazhimin e tyre në punë, dhe ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për investime kapitale për të zëvendësuar makineritë e vjetruara”, thuhet në njoftimin e ME-së.
Derisa ekipi mjekësor i ndërmarrjes, ekipi emergjent i mjekësisë familjare dhe komandanti rajonal i policisë kanë qëndruar në vend të ngjarjes gjatë gjithë ditës.
Rreth 40 minatorët e ngujuar në minierën e Trepçës, tashmë kanë arritur të dalin.
Këtë për RTV Dukagjini e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve të ndërmarrjes “Trepça”, Ibrahim Jonuzi, i cili në një linjë direkte në emisionin “Five”, ka thënë se të njëjtit kanë qëndruar përreth 18 orë në horizontet e minierës.
Gjendja e tyre sipas Jonuzit është stabile.
“Të gjithë minatorët janë nxjerrë nga miniera. Janë 40 minatorë që kanë qenë të ngujuar të cilët kanë qëndruar përreth 18 orë në horizontet e minierës. Të gjithë kanë dalë shëndoshë e mirë pavarësisht shqetësimeve të vogla por gjendja e tyre është stabile dhe nuk kemi ndonjë informacion që dikush nga ta ka kërkuar trajtim të mëtejshëm”, ka thënë ai.