Millan Jovanoviq, i cili të hënën e 10 prillit u plagos me armë zjarri në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit, ka thënë se nuk e di se kush e qëlloi.
Ai ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur teksa po kthehej në shtëpi nga Leposaviqi.
“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100 për qind i sigurt se kush më qëlloi, por nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre”, ka thënë ai për Kosovo Online.
“Dëgjova plasaritjen e xhamit prapa dhe përpara dhe sinqerisht u tremba, vazhdova, u nisa për në shtëpi. Arrita në deri në vendin e quajtur “Guri i larmë” dhe çfarë ndodhi më pas, ku është vetura, kush më solli, nuk e di”, shtoi Jovanoviq.
Pas pranimit në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Jovanoviq është operuar në repartin e kirurgjisë dhe, sipas kirurgut kujdestar, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, gjendja e tij ende po monitorohet.
Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmë se një person në veri të vendit është plagosur me armë zjarri.
Sipas tyre, shkaqet dhe rrethanat e plagosjes ende nuk dihen, teksa bëjnë të ditur se janë duke i kryer hetimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
“Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në kraharor nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij. Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka sqaruar se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit të zjarrit apo “të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar”.
Raportimet e mediave serbe, të cilat thonë se Policia e Kosovës është e përfshirë, sipas tyre nuk janë të vërteta.
“Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricës në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar”, thuhet në njoftim.
Viktima është duke qëndruar në qendrën spitalore në Mitrovicën Veriore, sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.