Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka përkujtuar heroin Agim Ramadani në 24-vjetorin e rënies së tij.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Agim Ramadani dha shembullin e veçantë se si duhet dhe mbrohet atdheu.
“24 vjet nga rënia heroike e Agim Ramadanit – komandant “Katanës”. Përmes jetës dhe veprës, si poet e patriot, Agimi dha shembullin e veçantë se si duhet dhe mbrohet Atdheu. Sot, përmes vargjeve dhe luftës së tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës”, shkroi Krasniqi.
Ai ka thënë se duke i prirë një prej betejave më të rëndësishme të luftës çlirimtare, asaj për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, Agimi u flijua edhe vetë që ai kufi të mos mbyllet më.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve të betejës së Koshares, bashkëluftëtarëve të Agimit, që për asnjë moment nuk u stepën në rrugën e shenjtë të lirisë”, shtoi ai.
Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më tre maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Po ashtu, njihet me emrin konspirativ-Katana.
Agimi la pas vetes tre fëmijë, djemtë Jetonin dhe Edonin dhe vajzën Lorinën.