Shtëpia e Bardhë e shqetësuar për rrjedhjen e dokumenteve sekrete

Shtëpia e Bardhë ka pohuar që është e shqetësuar nga mundësia e rrjedhjes së dokumenteve të tjera sekrete në të ardhmen pas publikimit të një mori dokumentesh të klasifikuara në rrjetet sociale kryesisht për luftën në Ukrainë

Zëdhënësi John Kirby

Shtëpia e Bardhë ka pohuar që është e shqetësuar nga mundësia e rrjedhjes së dokumenteve të tjera sekrete në të ardhmen pas publikimit të një mori dokumentesh të klasifikuara në rrjetet sociale kryesisht për luftën në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë thotë se ekziston mundësia e publikimit të më shumë dokumenteve të klasifikuara për luftën në Ukrainë, ndërsa autoritetet amerikane po hetojnë se kush qëndron prapa rrjedhjes së dokumenteve sekrete që tanimë janë publikuar në rrjete sociale.

Nuk e dimë se kush është përgjegjës për këtë dhe nuk e dimë nëse kanë më shumë dokumente që synojnë t’i publikojnë. Kjo është një çështje shqetësuese për ne”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kirby tha se autoritetet amerikane ende po përpiqen të përcaktojnë vlefshmërinë e dokumenteve, por e kanë kuptuar se të paktën disa nga to janë ndryshuar.

Një nga këto dokumente thotë se numri i viktimave ruse shkon nga 16 mijë -17 mijë e 500 ndërsa forcat ukrainase kanë humbur deri në 71,000 ushtarë. Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane, në nëntorin e kaluar ka thënë se Rusia ka humbur mbi 100,000 ushtarë po aq sa ka humbur edhe Ukraina, shifra këto që janë rritur deri më tani.

Departamenti i Drejtësisë po kryen një hetim penal për këtë. Unë mendoj se çdo amerikan mund ta kuptojë se për të mbrojtur këtë vend çdo ditë, një nga gjërat që duhet të mbrojmë është informacioni dhe mënyra se si ne e mbledhim informacionin. Unë mendoj se ju mund të kuptoni pse të gjithë e kanë marrë shumë seriozisht bërjen publike të këtyre dokumenteve”, tha tutje John Kirby.

Një ekip i Pentagonit vazhdon të shqyrtojë dhe vlerësojë vërtetësinë e dokumenteve të fotografuara që po qarkullojnë në rrjete sociale dhe që në disa raste duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe tepër sekrete. Këto foto duket se tregojnë dokumente të ngjashme me ato që ne përdorim për informacionin ditor që u japim udhëheqësve tanë të lartë mbi operacionet lidhur me Ukrainën dhe Rusinë, si dhe përditësime të tjera të inteligjencës. Disa nga këto imazhe duket se janë ndryshuar”, tha Chris Meagher, ndihmës i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Hulumtues, që janë të specializuar në gjurmimin e mediave sociale, përfshirë organizatën “Bellingcat”, thonë se dokumentet mund të kenë qarkulluar për javë të tëra në internet në platformën e diskutimit Discord, para se të publikoheshin në rrjetin social Twitter.

Sipas Pentagonit, pasi është informuar për këto publikime, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kontaktoi me aleatët, ka mbajtur takime të përditshme për të vlerësuar dëmin dhe ka krijuar një grup jo vetëm për të vlerësuar shtrirjen e informacionit të humbur, por edhe për të shqyrtuar se kush ka qasje në to. VoA

ShBA-ja thotë se rrjedhja e dokumenteve paraqet një rrezik “shumë serioz” për sigurinë kombëtare

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika