Dyert janë të hapura e brenda kësaj shtëpie në Rudicë të Klinës, qëndron një nënë në pritje të djalit të saj që gjendet i burgosur tash e gati katër vite në Serbi.
E rënduar nga shëndeti por e freskët nga kujtesa, Nazlije Mehmetaj, tregon momentin kur djali i saj Neziri u ndalua nga autoritet serbe në kufi më Kosovën.
Nazlije Mehmetaj, nëna e Nezir Mehmetajt ka thënë se “E lanë në vetur një cop herë, na pritë si po na i japin dokumentet, ata nuk na i dhanë, ai tha qitu s’po vjen era e mirë”.
E malli për të vetëm sa vjen e rëndohet sidomos kur tani familjarët nuk mund të komunikojnë me të as përmes telefonit.
Nëna e tij tregon se edhe vet kishte tentuar ta marr këtë rrugë në të cilën iu arrestua djali.
Nazlije Mehmetaj ka thënë tutje se “Vjet në ver jom kanë, jam shku dy herë, një herë me kanë lënë me hy e herën tjetër jo”.
Nezir Mehmetaj u arrestua nën dyshimin se kishte qenë ushtar i UÇK-së e se kishte marr pjesë në vrasjen e ndalimin e disa personave në Klinë por nëna e tij tregon se ai as që kishte qenë në Kosovë gjatë luftës sepse jetonte në një shtet evropian.
Ajo shprehet e zhgënjyer me gjithë ngjarjen përfshirë punën e institucioneve të Kosovës për këtë rast.
Mehmetaj ka shtuar se “Kem kërku s’kemi lanë derë pa trokit për ta, as nuk u kanë veteran as nuk u kanë në luftë, veq që po mujnë e pe mbajnë të arrestuar”.
Për problemet që kjo familje ka për ta vizituar djalin e tyre, ka shkruar edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas tij, Serbia po bënë shkelje të marrëveshjeve të Brukselit nga regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Javë më parë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu drejtua autoriteteve serbe përmes një letre për këtë rast dhe një tjetër.
Haxhiu, i është drejtuar ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, për transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë, si dhe të një kosovari tjetër, Petrit Dula, i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.