Në studion e Radio Dukagjinit e ftuar ishte psikologia Festona Avdiu, e cila deklaroi se autizmi është çrregullim që prek fëmijët dhe nuk diagnostikohet në moshë të rritur, por në fëmijërinë e hershme.
Sipas saj, nuk dihet se kur shfaqen saktë shenjat e para të autizmit, pasi nuk dihen as shkaqet, mirëpo nga mosha 0 deri në 3 vjeç është zakonisht koha kur shfaqen shenjat e para të autizmit, teksa deri në moshën 3 vjeçare bëhet diagnostikimi se a kemi të bëjmë me autizëm apo probleme të ngjashme në zhvillim.
Avdiu theksoi se autizmi nuk është sëmundje, është çrregullim neurozhvillimor që prek zhvillimin e fëmijës në komunikim, sjellje dhe ndërveprim social.
Fëmijët që preken nga spektri i autizmit kanë vështirësi në zhvillimin e komunikimit funksional, çoftë me fjalë apo gjeste, kanë sjellje përsëritëse, luajnë zakonisht vet, jo pse nuk kanë dëshirë të luajnë, por nuk dijnë se si të bëhen pjesë e grupit, shkëputen kur nuk ndihen të sigurt dhe rehat me rrethin social.
Shenjat e para që diçka nuk është në rregull vërehen që nga mosha 6 muajshe, kur fëmiu duhet të reagojë me emocion drejt përsonave të afërt të familjes, nga 6 deri në 8 muaj duhet të shfaqen gjysmëfjalët e tyre të para, nga mosha 9 muajsh duhet të reagojë kur dikush e thërret në emër, nga 1 vjet e gjysmë deri në 2 duhet të jetë në gjendje të bëjë komanda të thjeshta, dhe 2 vjeç duhet edhe të flasë. Kur këto gjëra nuk ndodhin apo ndodhin shumë më vonë, na bëjnë të besojmë se diçka nuk është në rregull, e që jo doemos mund të jetë autizëm.
Diagnostikimi për autizëm, shton Avdiu, bëhet nga profesionistët shëndetësorë, psikiatri, neuropsikiatri apo psikologu klinik, të cilët e shohin se si funksionon fëmiu në mjedise të ndryshme. Dyshimet e para janë shumë të rëndësishme, dhe siç nënvizon Avdiu, është shumë e rëndësishme që prindërit të mos informohen nga burime të ndryshme për autizmin, por vetëm nga profesionistët e shëndetit mendor.
Psikologia deklaroi se diagnoza në moshën 2 vjeçare jo gjithmonë del të jetë e saktë, andaj në moshën 3 vjeçare bëhet diagnoza përfundimtare se a kemi të bëjmë me autizëm, apo ndonjë problem tjetër të zhvillimit.