Në fronin e futbollit të Kosovës, është ngjitur skuadra nga Theranda, Ballkani.
Në ambientet e stadiumit të qytetit të Gjilanit, ata që para disa jave luftonin për titull, sot luftuan për të shpallur mbretin e ri të Kosovës.
Barazimi ishte me shifrat 0-0 në derbin e Anamoravës, edhe pse në realitet ishte barazim, ky i fundit solli një fitues që vjen nga Theranda.
Kanë mbetur gjithsej edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar për Gjilanin dhe Dritën, diferenca prej 11 dhe respektivisht 13 pikëve, e bën të pamundur që skuadrat nga regjioni i Anamoravës të përfundojnë maratonën në vendin e parë.
Skuadra e Ilir Dajës, e bën ish-trajnerin e Skënderbeut, Partizanin e skuadrave të tjera të Shqipërisë, të parin trajner nga shteti amë që shpallet kampion në Kosovë.
Deri në këtë pikë, ky sezon për Ballkanin ka qenë pothuajse perfekt, me më shumë fitore se të gjithë, më pak humbje, më shumë gola të shënuara e më pak të pësuar, një performancë e vërtetë kampionësh.
Në vitin e katërt në Superligë, dhe pas dy viteve ku Ballkani dështoi vetëm në hapin e fundit, ata janë ngjitur me sukses në majën e Olimpit për t’u shndërruar në skuadër për të arritur në Kosovë.
E nga sezoni i ardhshëm, shpresat që Kosova të përfaqësohet në mënyrë ideale në kompeticionin më të madh për klube, Champions League, bien mbi supet e therandasve.