Komunat e Kosovës nuk kanë bërë planifikime buxhetore për zbatimin e Kontratave Kolektive, andaj ato kanë krijuar borxhe milionëshe ndaj punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë.
Kurse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH), pasi kanë nënshkruar marrëveshje kohë më parë me sindikata për Kontratë Kolektive për Arsim dhe Shëndetësi, pa mbulueshmëri financiare, kanë ‘ikur’ nga përgjegjësia duke i lënë këtë barrë komunave.
Mirëpo, kjo gjë, sipas komunave, rrezikon buxhetin e tyre pasi ato nuk kanë të planifikuar kompensimin e atyre mjeteve financiare.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) nuk ndan mendimin e njëjtë me institucionet qendrore, andaj edhe kanë reaguar lidhur me këtë çështje.
Sipas AKK-së, këto shpenzime po u krijojnë komunave probleme gjyqësore me përmbaruesit.
Për këtë arsye, AKK-ja ka njoftuar se komunat janë duke shqyrtuar mundësinë që ta padisin MASHTI-in dhe MSH-në, ani pse një veprim i tillë nuk është praktikë te ne.
Rreth kësaj çështjeje, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, është deklaruar për PortalD, se komunat po obligohen që t’i mbulojnë shpenzimet dhe borxhet e këtyre kontratave, edhe pse këto të fundit nuk janë nënshkruese të tyre.
Ai deklarohet se nuk janë kundër Kontratave Kolektive, por e kundërshtojnë mënyrën e pagesës ndaj punonjësve arsimorë dhe shëndetësorë, sepse paratë po i’u merren komunave.
”Komunat nuk janë kundër Kontratave Kolektive, por mbulueshmëria financiare dhe borxhet që burojnë nga këto kontrata, duhet të mbulohen nga niveli qendror, sepse ato janë nënshkruese të këtyre kontratave, e jo komunat. Pra, komunat edhe pse nuk janë nënshkruese të kontratave kolektive po obligohen të mbulojnë shpenzimet dhe borxhet nga nënshkrimi i këtyre kontratave, duke i’u krijuar komunave shpenzime të mëdha të procedurave gjyqësore/përmbarimore”, tha Ibrahimi për PortaliD.
Ndër të tjerash, ai deklaroi se këto kontrata e kanë dëmtuar buxhetin e komunave dhe se për këtë arsye ata janë duke menduar që të ngrisin padi ndaj MASHTI-it dhe MSH-së.
”Këto kontrata kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë buxhetin e komunave, e të cilat kanë ndikuar edhe në mosrealizimin e shumë projekteve kapitale, projekte që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit”.
”Duke marrë parasysh se në takimin dyditor të Komisionit të Granteve ku janë përcaktuar grantet qeveritare, për financimin e komunave për vitin 2023 dhe orientimet për vitet 2024-2025, nuk është parë që Qeveria ka ndonjë vullnet për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, deklaroi më tutje Ibrahimi.
Në përfundimin e deklaratës së tij, ai thotë se për këtë arsye mendohet nga komunat të shfrytëzohet mundësia e ngritjes së një padie të përbashkët për Ministritë nënshkruese të Kontratave Kolektive, e që janë MASHTI-i dhe MSH-ja.
Komunat nuk kanë bërë planifikime buxhetore
Krahas kësaj situate të (mos)marrëveshjes kolektive pa mbulueshmëri financiare është përgjigjur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), duke thënë se këto deklarata janë të pabaza, pasi pas nënshkrimit të këtyre kontratave, nuk janë bërë planifikime buxhetore nga qeveritë komunale, edhe pas kërkesës së tyre.
Kyetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar përmes një email-i për PortalD, se kur është bërë nënshkrimi i kontratave në vitin 2014, institucionet kanë deklaruar se nuk janë duke bërë planifikime buxhetore, e për këtë arsye i’u është dhënë kohë deri në janarin e vitit 2015 të veprojnë, por qeveritë komunale kanë neglizhuar këtë punë.
”Ne që në vitin 2014, pasi ishte nënshkruar kontrata, atëherë, me kohëzgjatje trevjeçare, ishim marrë vesh që pasi është nënshkruar në prillin e atij viti, institucionet të fillonin me planifikimin e buxhetit. Pasi nuk janë bërë këto planifikime, kemi dhënë kohë deri në janarin e vitit 2015 të nisë implementimi i saj, por qeveritë komunale nuk janë lodhur për këtë duke menduar se ne do të heshtim”, ka thënë Jasharaj.
Ai shtoi tutje se duke parë që komunat po heshtin, mësimdhënësit kane filluar të marrin këshilla juridike nga zyrtari ligjor i SBASHK-ut, të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre dhe ato të drejta i kanë fituar deri tani, dhe pretendon se do të vazhdojnë të fitojnë përmes proceseve gjyqësore.
Ndër të tjerash, Jasharaj theksoi se nga viti 2014 e deri tani, janë nënshkruar edhe dy kontrata të reja për sektorin e arsimit, pasi Ligji kërkon që kontratat kolektive të një sektori të nënshkruhen çdo tri vjet.
Në shkrimin e tij, thuhet se faji i takon komunave, duke qenë se ata nuk kanë kërkuar mbështetje buxhetore nga niveli qendror.
”Qeveritë lokale nuk kanë bërë planifikime për kërkesat buxhetore që dalin nga Kontrata dhe nuk kanë kërkuar as mbështetje buxhetore nga niveli qendor, dhe ky është faji i tyre”, tha Jasharaj.
Tutje shton se nëse komunat apo niveli qendror vazhdojnë të hezitojnë sikur s’po ndodh asgjë, atëherë anëtarësia e tyre do vazhdojë të realizojë të drejtat dhe benefitet që sjell kontrata kolektive e arsimit përmes gjykatave, me ndihmën e avokatëve që ata vetë zgjedhin.
Mbi 2 milionë borxhe
Po ashtu, rreth zbatimit të marrëveshjes së Kontratës Kolektive në komunat e Kosovës është deklaruar Albion Sherifi, shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Ferizajit, Agim Aliu.
Ai pohon se është pro zbatimit të Kontratës Kolektive, duke qenë në dijeni se përmes saj, realizohen të drejtat ligjore të punonjësve, në fushat që mbulon kjo kontratë, edhe pse hasin në vështirësi të caktuara për realizimin e saj.
”Natyrisht, jemi për zbatimin e Kontratës Kolektive, duke pasur parasysh se përmes saj realizohen të drejtat ligjore të punonjësve në fushat që mbulon kjo kontratë, porse si e tillë, kemi edhe vështirësi të caktuara nga realizimi i kësaj kontrate, e cila është një dokument i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, porse që barra e detyrimeve financiare bie mbi komunat, pra pa pasur një fond shtesë nga Qeveria për komunat, për ta zbatuar pa pengesë Kontratën Kolektive. Pra, si e tillë, është një barrë sfiduese për financat lokale, nga ky dokument i imponuar nga qeveria qendrore”, ka thënë Sherifi për PortalD.
Ai shtoi tutje se në Komunën e Ferizajt janë mbi 2 milionë euro borxhe, si pasojë e Kontratës Kolektive, gjë që vështirëson dhe pamundëson në masë të madhe, implementimin e projekteve të ndryshme kapitale e të fushave të tjera, duke shtuar edhe dëmin anësor të shkaktuar nga shpenzimet e procedurave përmbarimore.
Se a po zbatohet kjo kontratë, Sherifi pohon duke thënë se nga zbatimi i saj po prodhohen pasoja e vështirësi për buxhetin komunal.
”Siç thashë më lartë, kjo kontratë po zbatohet, pra si e tillë është aktive dhe kjo po prodhon pasoja e vështirësi për buxhetin komunal. Madje, në këtë kuptim, edhe në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka një bindje te kryetarët e komunave, dhe po shqyrtohet mundësia për ngritjen e padive përkatëse për këtë çështje”, përfundoi shefi i kabinetit të kryetarit Aliu, Albion Sherifi.
PortaliD lidhur me këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ministrisë së Arsimit, Shkencës, dhe Tekonologjisë (MASHTI), dhe Komunës së Prishtinës, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Të kujtojmë se Kontrata Kolektive Sektoriale (KKS) lidhet me palët e kontratës për avancimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe respektimin e të drejtave dhe detyrimeve të palëve nënshkruese.
Përmes KKS-së, zgjerohen të drejtat nga marrëdhënia e punës sipas legjislacionit në fuqi.
KKS-ja rregullon themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës së punës, sistemimin e të punësuarve, orarin e punës, pushimet, stazhin e punës, mungesat në vendin e punës, informimin, ndalimin e diskriminimit, kushtet për sigurimin e aktivitetit sindikal, dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Afati i zbatimit të kësaj kontrate është në kohëzgjatje prej 3(tre) vjet nga data e lidhjes së saj, respektivisht nga momenti i nënshkrimit nga palët në këtë kontratë, dhe gjen zbatim deri në lidhjen e kontratës së re.
Me kalimin e afatit, palët mund të vazhdojnë kontratën për afat të ri, apo të lidhin kontratën e re.