Në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryeministri vendit, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, kanë nderuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës 1998-99.
Me homazhe te memoriali Heroinat, kryeministri Kurti ka përkujtuar viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe ka nderuar të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti së bashku me ministren Haxhiu, kanë vendosur lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.
Në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se çdo ditë solidarizohemi me të gjithë të mbijetuarat e të mbijetuarit, dhe ka shtuar se emrat mund të mos ua dimë, por ua dimë forcën.
“Sot nderojmë gratë e forta që treguan të vërtetën për krimet e Serbisë në Kosovë. Marte Tunaj, Vasfije Krasniqi Goodman e Shyhrete Tahiri Sylejmani, me guxim e forcë të pashembullt, u bënë zëri i mijëra grave e burrave të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar tutje Kurti.
Po ashtu, ai ka thënë se duke njohur dhimbjen dhe vuajtjet e grave dhe vajzave, të burrave dhe djemve, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, në bashkërendim me presidenten e Kosovës, 14 prillin e kanë shpallur Ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Heshtja që mvesh këtë krim lufte i pengon të mbijetuarat që të kërkojnë mbështetjen dhe drejtësinë e merituar. Andaj është e domosdoshme përkrahja e pakushtëzuar shoqërore, për ta luftuar stigmën, e cila i përcjell të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksual”, ka shkruar Kurti.
Në homazhe morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, Leonora Selmani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.