Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit ndaj Trepçës, për të avancuar 1:0 në këtë seri.
Prishtina triumfoi me shifrat 82:70 ndaj ekipit mitrovicas, Trepça.
Pas kësaj fitoreje, seria bartet në Mitrovicë, ku Trepça do të jetë vendase në duelin e dytë që zhvillohet të dielën.
Skuadra që realizon tri fitore do të avancojë në finalen e këtij sezoni.
Ndeshja e parë ishte e fortë dhe e luftuar, ndonëse Prishtina e siguroi fitoren falë efikasitetit që e pati në çerekun e fundit për ta krijuar epërsinë që ia garantoi fitoren. Këtë çerek, Prishtina e fitoi me shifrat 24:13.
Prishtina e nisi më mirë ndeshjen, dhe dhjetë minutat e parë i mbylli me epërsi prej dy pikësh (20:18).
Trepça u kundërpërgjigj në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultatin 44:37 në favor të vetin.
Megjithatë, vendasit nuk lejuan Trepçën t’ia marrë përparësinë e terrenit, pasi çerekun e tretë e fitoi me tetë pikë epërsi dhe në të fundit u fut me rezultatin 58:57, për ta fituar përballjen e parë të kësaj serie gjysmëfinale.
Te vendasit u dalluan Dustin Thomas me 20 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, Derrick Wilson me 16 pikë e gjashtë kërcime dhe Dardan Berisha me 20 pikë, kurse te mitrovicasit më i miri ishte Erjon Kastrati me 15 pikë.