“Serbia nuk mund t’i vendosë kushte Kosovës, kjo kohë ka përfunduar më 1999”.
Kështu ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që “si parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Tahiri ka thënë se Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia as për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në veri.
“Agjenda e Qeverisë së Serbisë është e hapur, armiqësore, me synime destabilzuese dhe dashakeqëse, ata po i presin gabimet tona, duhet të jetë i kujdeshëm Kurti dhe Qeveria jonë, të mos krijojë alibi te ndërkombëtarët. Serbia nuk mund t’i vendosë kushte Kosovës, kjo kohë ka përfunduar më 1999. Duhet të përmirësohet diskursi ynë në raport me ndërkombëtarët”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Ndër të tjera, Tahiri ka thënë se AAK-ja nuk do të votojë për asnjë marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend, nëse nuk adresohet problemi i të hyrave vetanake të komunave.
“AAK nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare deri sa të marrë fund kjo punë, pasi ka kaluar ligji për buxhet, që të hyrat vetanake të shfrytëzohen nga komunat”.
Ai ka kërkuar që të rritet edhe paga minimale.
“Paga minimale vazhdon të jetë 170 euro, nuk ka asnjë lëvizje, pagën minimale urgjentisht për sektorin privat ta sjellin në Kuvend dhe ta rrisin. Pagat e punëtorëve të trajtohen më mirë dhe të rritet paga minimale”.