Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe delegacionin e tij.
Krasniqi dhe Abazoviq kanë diskutuar për raportet fqinjësore mes dy shteteve dhe mundësitë e reja të thellimit të bashkëpunimit.
“Marrëveshja e nënshkruar sot për shfrytëzimin e hapësirës ajrore është një lajm i mirë dhe urova që ajo të zbatohet sa më parë. Si anëtare e NATO-s dhe shtet që ka bërë progres në procesin e anëtarësimit në BE, nga Kryeministri Abazoviç kërkova mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në rrugën e përbashkët drejt integrimit Euro-Atlantik”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka informuar Abazoviqin mbi zhvillimet me rëndësi në Kosovë, “përfshirë shqetësimin tonë për emigrimin masiv të të rinjve tanë dhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila, për PDK-në, mbetet e pamjaftueshme dhe që nuk arrin qëllimet tona shtetërore”.
“Në fund të takimit, me Kryeministrin Abazoviç diskutuam edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në fushën e turizmit dhe krijimit të kushteve optimale për qytetarët e të dy vendeve gjatë vizitave dhe pushimeve vjetore”, ka shtuar Memi Krasniqi.